Përmendja e rolit të presidentit të Kosovës në programin e Qeverisë Hoti në pjesën ku flitet për dialogun me Serbinë ka nxitur shumë debat dhe interpretime të ndryshme rreth asaj se kush do të përfaqësojë Kosovën në tryezën e bisedimeve me Serbinë.
Pavarësisht kësaj, nga zyra e kryeministrit Hoti thonë se është Qeveria ajo që udhëheq procesin dhe shtojnë se nuk ka nevojë për sajesa të ndryshme meqenëse një gjë e tillë është shumë e qartë.
Përveç tjerash, thonë se Hoti është në kontakt të vazhdueshëm për emisarin e Trump, Richard Grenell, por se ende s’ka ndonjë datë për ndonjë vizitë të mundshme të emisarit amerikan e as të Mirsolav Lajçakut të BE’së.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se do të jetë shef i dialogut përballë Serbisë. Nga Zyra e Kryeministrit në një përgjigje për Gazetën Express thonë se s’ka nevojë që të krijohen sajesa për delegim kompetencash tek presidenti, pasi sipas tyre shefi i qeverisë s’mund t’ia delegojë dikujt tjetër kompetencat që i jep Kushtetuta.
“Kryeministri Hoti e ka sqaruar tashmë se ai, edhe po të dojë, nuk mund t’ia delegojë kompetencat e tij kushtetuese askujt tjetër, as Presidentit të vendit. Kompetencat e secilit janë shumë të qarta dhe nuk ka pse të sajohet ndonjë dilemë për këtë. Dialogun do ta udhëheqë Kryeministri Hoti, kjo është më se e qartë”, thuhet në përgjigje.
Në përgjigjen nga kabineti i kryeministrit theksojnë se në procesin e dialogut për normalizim të raporteve me Serbinë, Kosova duhet të jetë unike dhe të flasë me një zë. Po ashtu pohojnë se edhe presidenti Thaçi, kryekuvendarja Osmani dhe krerët e partive politike janë të mirëpritur të kontribuojnë në procesin.
“Por, edhe Presidenti, edhe Kryeparlamentarja, edhe liderët e subjekteve politike janë të mirëpritur të japin ndihmesën e tyre në këtë proces. Kosova do të flasë me një zë në këtë proces, sepse, përtej interesave politike të ditës, kur është fjala për çështje të interesit nacional, Kosova ka qëndrim unik”, thuhet tutje.
Pas instalimit të institucioneve të reja në Prishtinë në krye me Avdullah Hotin, ka pasur reagime të menjëhershme nga Washingtoni dhe Brukseli të cilët kanë shprehur gatishmërinë e tyre të menjëhershme për të punuar me qeverinë e re sa i përket dialogut.
Richard Grenell ka thënë se mezi pret që të punojë më qeverinë e re, megjithatë ende s’dihet nëse emisari i Trumpit do të realizojë ndonjë vizitë në Prishtinë.
Zyra e Kryeministrit thotë se Hoti është në kontakt të vazhdueshëm me Grenell derisa thonë se s’kanë ndonjë datë për ndonjë vizitë të mundshme të emisarit amerikan në Prishtinë.
“Po, që nga marrja e detyrës, Kryeministri Hoti ka qenë vazhdimisht në kontakt me Përfaqësuesin Special Presidencial të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ambasadorin Richard Grenell. Sa i përket pyetjes për vizitën e tij të mundshme, ende nuk kemi ndonjë datë të caktuar”, thuhet në përgjigje.
Ndërkohë nuk e dinë as datën se kur Lajçak do ta vizitojë Prishtinën dhe se konfirmimi i saj është punë e Bashkimit Evropian dhe zyrës së Miroslav Lajçakut si Përfaqësues Special për dialogun.
“Është e vërtetë se Emisari i BE-së për dialogun, Lajçak ka paralajmëruar vizitë në Prishtinë dhe Beograd. Por, kur e si, sigurisht që duhet ta konfirmojë Zyra e tij”, kanë përfunduar nga Zyra e Kryeministrit.
Për vizitën e Lajçak në Prishtinë dje për Express kanë folur edhe nga Bashkimi Evropian. Peter Stano, pa specifikuar ndonjë datë, ka thënë se Lajçak në ditët në vijim do të vizitojë rajonin për të përgatitur terrenin për rinisjen e dialogut.
Ndërkohë ende nuk dihet se kur potencialisht mund të ndërmerret ndonjë inicativë konkrete nga Përfaqësuesi Special i SHBA’së, Richard Grenell, i cili tashmë gjendet në Washington, pasi që ka hequr dorë nga pozita e ambasadorit amerikan në Berlin.
Qeveria e Republikës së Kosovës në programin qeverisës kanë listuar si prioritet edhe dialogun me Serbinë. Aty thuhet se Qeveria drejton dialogun dhe se i përgjigjet Kuvendit, derisa thonë se presidenti përfaqëson Kosovën vetëm në bazë të kompetencave që i jep Kushtetuta.
“Para fillimit të dialogut për marrëveshje përfundimtare me Serbinë për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, do të përgatitet platforma për dialog, ku specifikohen objektivat që duhet të arrihen me marrëveshjen përfundimtare, çështjet për të cilat duhet të përfshihen dhe raportimi dhe transparenca gjatë procesit të arritjes së kësaj marrëveshjeje. Palë negociuese në dialog do të jetë Qeveria, e cila i përgjigjet Kuvendit, ndërkaq Presidenti e përfaqëson vendin në bazë të kompetencave kushtetuese”, thuhet në pikën 7.3 të programit.
Se Qeveria është përfaqësuese e Kosovës në tyrezë me Serbinë e ka thënë edhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.