Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, ka mbajtur dëgjimin publik për Projektligjin për Diasporën, shkruan EkonomiaOnline.
Deputetja Vjosa Osmani ka thënë se është koha që t’i kushtohet vëmendje diasporës duke e cekur se diaspora vitin e kaluar ka ndihmuar me 2 miliardë euro aq sa është edhe buxheti i Kosovës.
“Pas shumë përpjekjeve ky ligj është miratuar dhe komisioni ynë do të jenë në cilësi funksional. Komunikimi me diasporën në mënyrë më specifike një televizion i diasporës. Ka ardh koha qe institucionet ta kthejnë kokën kah diaspora. Vetëm në vitin 2018, diaspora ka kontribuar në vend me 2 miliardë euro aq sa është krejt buxheti i Kosovës që i bie mbi 5 milionë euro në ditë”, tha Osmani.
Përfaqësuesja e Qeverisë së Kosovës për diasporë Shyhrete Gosalci, ka thënë se duhet t’u ipet fokus të veçantë qendrave kulturore.
“Ligji aktual ka qenë i zbatueshëm. Statusit të qendrave kulturore duhet t’u ipet fokus të veçantë si duhet, duke u bazuar në buxhetin e Kosovës që keni. Ne s’kemi mundur të zbatojmë shumë objektiva”, tha ajo.
Përfaqësuesi i zyrës ligjore, Ejup Kamberi ka thënë se Kosova ka vetëm 3 qendra kulturore më botë, ndërsa shtoi tutje se Institucionet e vendit duhet të mbështesin diasporën.
“Ne i kemi tri qendra kulturore, një në Stamboll një në Zvicër, kurse qendra tjetër në Suedi. Ne kemi hy këtij procesi që t’u ofrohet një mundësi. Ka ardh një kohë që institucionet ta mbështesin të gjitha ato që janë për diasporën”.
Nënkryetarja e komisionit Time Kadriu tha se dëgjimi publik për diasporën është specifikë e veçantë, ndërsa shtoi tutje se në këtë debat publik do të duhet të ishin prezent edhe shumë organizata të tjera.
“Ky dëgjim publik ka specifik tjetër, sepse tjerat organizohen me akterë. Ne kemi qenë numër të konsideruar të deputetëve që jemi marrë me këtë temë. Po shohim që organizatat nuk i janë përgjigjur që të jenë pjesëmarrës në këtë takim”, tha ajo
Përfaqësuesi nga Suedia, mësues Xhevat Isufi, ka thënë se e mirëpret këtë projektligj, ndërsa ka shtuar tutje se në Suedi 65 përqind e nxënësve mësojnë gjuhën shqipe ndërsa pjesa tjetër janë të shpërndarë.
Isufi ka thënë se mosfinancimi në diasporë do të thotë një asimilim i ngadalshëm, ndërsa shtoi se i gëzohet faktit për televizionin e diasporës, ku sipas tij do të ishte një nxitje për mësim shkollorë.
“Kam qenë themelues dhe drejtor i qendrës së kulturës në Suedi. Më gëzon fakti qe bisedojmë për këtë projektligj për diasporën duke e ditur kontributin e diasporës për shtetndërtim dhe shtet veprim. Më gëzon fakti që në këtë projektligj përfshihet financimi për mësimdhënie”, tha ai.