Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, priti në takim Atashejen e ICITAP-it pranë Ambasadës Amerikane në Kosovë, Kimberly Riffe, Drejtoreshën e Byrosë për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL), Tamra Greig dhe Allen Beard, Këshilltar i Lartë i ICITAP-it për Njësinë e Inteligjencës Korrektuese (NJIK), me të cilët diskutuan lidhur me vazhdimin e bashkëpunimit mes SHKK-së, ICITAP-it dhe INL-it.
Dibrani, i njoftoi Riffe dhe Greig për punën, sfidat dhe të arriturat e SHKK-së. Tutje i falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që Qeveria Amerikane po i jep Shërbimit Korrektues të Kosovës përmes ICITAP & INL.
Gjatë takimit znj. Riffe dhe znj. Greig, e përgëzuan z. Dibrani për punën dhe të arriturat e SHKK-së, për çka edhe u zotuan se do të vazhdojnë ta mbështesin fuqishëm zhvillimin e SHKK-së në të gjitha fushat, sidomos në ngritjen e kapaciteteve profesionale të stafit, veçanërisht stafit të Njësisë së Inteligjencës.
ICITAP dhe INL përmes donacioneve dhe trajnimeve të ndryshme kanë mbështetur dhe po vazhdojnë ta mbështesin zhvillimin e SHKK-së në të gjitha fushat, duke ndihmuar në ndërtimin e një sistemi të sigurte, të pavarur dhe të vetqëndrueshëm.