Diego Simeone ka shpjeguar se është zakon i tij të mos përshëndetet me homologët e tij pas përfundimit të ndeshjeve, por u zotua se do t’ia zgjasë dorën Jurgen Kloppit në takimin e ardhshëm, pasi refuzoi ta bënte një gjë të tillë të martën.
Diego Simeone nuk pranoi t’ia zgjaste dorën Jurgen Kloppit, pas humbjes së Atletico Madridit 3:2 kundër Liverpoolit në një ndeshej dramatike në Ligën e Kampionëve të martën, raporton Gazeta Express.
Kampioni i La Ligës pati një natë zhgënjyese në tokën e vet Wanda Metropolitano, pasi Antoine Griezmann u përjashtua me karton të kuq, një penallti u dha kundër tij dhe një tjetër në favor të tij u shfuqizua.
Pas ndeshjes, trajneri argjentinas i Atleticos ia futi vrap drejt zhveshtores, duke mos u bezdisur fare t’ia zgjatë dorën homologut të vet siç është zakon pas ndeshjes.
Por ai shpjegoi pas ndeshjes se nuk i pëlqen ta bëjë një gjë të tillë dhe se nuk e kishte personale me trajnerin gjerman.
“Unë kurrë nuk i shtrëngoj duart me askënd pas ndeshjes, sepse nuk më pëlqen”, tha Simeone pas ndeshjes.
“Nuk është e shëndetshme as për fituesin e as për humbësin. Kështu e shoh unë. Por kur ta takoj atë nga tash e tutje do t’ia zgjas dorën pa problem”, shtoi Simeone.
Simeone dhe Klopp do të takohen përsëri këtë muaj në Anfield, në ndeshjen e kthimit të Grupit B mes Liverpoolit dhe Atleticos.
Liverpooli është lider i grupit me nëntë pikë nga tri ndeshjet e para, ndërsa Atletico është i dyti me katër pikë, aq sa ka edhe Porton në vendin e tretë. Milani është i fundit pa pikë.