Tri vetura janë djegur sot në orët e hershme të mëngjesit në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.
Dyshimet e para janë se zjarri ka qenë i qëllimshëm. Policia ka marrë video-incizimet, pasi ky kompleks është i vëzhguar me kamera, dhe pritet të zbardhë rrethanat e rastit.
Një veturë e tipit “Mercedes” dhe një “Peugeot” janë djegur tërësisht, kurse një “Audi” në afërsi është dëmtuar nga zjarri.
Rasti ka ndodhur rreth orës 5:45, kanë konfirmuar banorët për Ekonomia Online.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes për të hetuar rastin, ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.
“Ngjarja ka ndodhur rreth orës 6:00 të mëngjesit. Policia dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes sapo kanë marrë informatën. Ende nuk dihet nëse zjarri që i ka përfshirë veturat a ka qenë i qëllimshëm apo aksidental”, ka thënë Ahmeti.
Por, burime nga policia kanë bërë të ditur se dyshohet se zjarrvënia është e qëllimshme dhe e drejtuar ndaj veturës “Mercedes” dhe se kamerat e sigurisë kanë kapur pamje të mjaftueshme për policinë.
Një banor i lagjes ka thënë se në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, rreth orës 5:45 ka dëgjuar zhurmën dhe pasi ka parë djegien e veturave nga ballkoni i banesës e ka njoftuar Policinë.
“Policia kanë ardhur relativisht shpejt. E mira në këtë fatkeqësi është që janë kamerat dhe të paktën mund të dihet shkaktari”, ka thënë ky banor.