Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, u është drejtuar veri-koreanëve me një letër me rastin e Vitit të Ri. Dhe në letër, ai ka falënderuar popullin, por edhe i ka kërkuar falje, gjë e pazakontë për diktatorin.
Në letër, Kim falënderoi njerëzit për besimin dhe mbështetjen ndaj partisë në pushtet edhe në kohë “të vështira”, njoftoi të premten agjencia shtetërore e lajmeve KCNA, raporton Reuters.
“Në vitin e ri, unë do të punoj shumë për ta dërguar vendin në një epokë të re në të cilën do të realizohen idealet dhe dëshirat e njerëzve tanë”, shkroi Kim, i cili më parë u kërkoi falje qytetarëve për mospërmbushjen e premtimeve rreth përmirësimit të gjendjes ekonomike dhe eliminimit të vështirësitë tjera.
Pamjet e transmetuara nga televizioni kombëtar rreth ceremonisë së kremtimit të Vitit të Ri në sheshin “Kim II Sung” në Pyongyang, treguan një turmë njerëzish me maska mbrojtëse, por ata shihen shumë afër njëri-tjetrit dhe mbanin balona shumëngjyrëshe në duar.
Me rastin e Vitit të Ri, Kim Jong-Un vizitoi edhe varret e babait dhe të gjyshit të tij.
Kim Jong-un foli edhe për koronavirusin dhe masat që ka marrë vendi, ndonëse sipas tij, Koreja e Veriut nuk ka asnjë rast deri më tash, gjë që është vënë në dyshim nga shtetet tjera. Koreja e Jugut dhe SHBA-ja kanë thënë se kjo nuk është e mundur.