Dikur u pa si mbështetëse e zëshme e të drejtave universale të njeriut – e gatshme për të hequr dorë nga liria e saj, për t’iu rezistuar gjeneralëve të pamëshirshëm, që sunduan Mianmarin për dekada me radhë.
Aung San Suu Kyi, në vitin 1991, u shpërblye edhe me Çmimin Nobel për Paqe dhe kryetari i Komitetit të Nobelit në atë kohë e përshkroi si “shembull të shquar të fuqisë së të pafuqishmëve”.
Sot, tre vjet pasi u bë udhëheqëse de facto e Mianmarit, ajo është në qendër të kritikave nga të njëjtit udhëheqës dhe aktivistë ndërkombëtarë, që dikur e mbështetën.
Qindra-mijëra myslimanë Rohingya janë detyruar të zhvendosen nga Mianmari në Bangladesh, për shkak të sulmeve të ushtrisë. Dhe, Suu Kyi akuzohet se nuk ka bërë asgjë për të ndalur përdhunimet, vrasjet dhe gjenocidin e mundshëm. Ajo ka refuzuar të dënojë ushtrinë apo të pranojë mizoritë e kryera.
Mbështetësit e saj të paktë ndërkombëtarë thonë se ajo është politikane pragmatike, që përpiqet të qeverisë një vend multietnik, me një histori komplekse dhe me një shumicë budiste, që pëlqehet pak nga Rohingyat.
Ata po ashtu thonë se ushtria në Mianmar ende mban fuqi serioze politike.
Por, për kritikët, ajo e ka humbur qëndrimin moral dhe me siguri reputacionin e fuqishëm si dikush që është i gatshëm të ngrihet për të drejtat e njeriut, pavarësisht kostos personale.
Rruga drejt pushtetit
Suu Kyi, tani 73 vjeçe, e kaloi pjesën më të madhe të kohës nga viti 1989 deri më 2010 në një formë të paraburgimit, për shkak të përpjekjeve të saj për të sjellë demokraci në Mianmarin e udhëhequr nga ushtria. Ky fakt e bëri atë simbol ndërkombëtar të rezistencës paqësore kundrejt shtypjes.
Ajo udhëhoqi Lidhjen Kombëtare për Demokraci drejt fitores më 2015, në zgjedhjet e para të hapura në Mianmar pas 25 vjetësh.
Fitorja erdhi pesë vjet pasi u lirua nga arresti shtëpiak.
Edhe pse Kushtetuta e Mianmarit nuk e lejoi atë të bëhej presidente, sepse ka fëmijë që janë shtetas të huaj, Suu Kyi shihet gjerësisht si udhëheqëse de fakto.
Titulli i saj zyrtar është këshilltare e shtetit. Presidenti Win Myint është një ndihmës i saj i afërt.
Prejardhja politike
Aung San Suu Kyi është vajza e heroit të pavarësisë së Mianmarit – që ndryshe njihet edhe si Birmani – gjeneralit Aung San.
Ai u vra gjatë periudhës së tranzicionit, në korrik të vitit 1947, vetëm gjashtë muaj para pavarësisë dhe kur Suu Kyi ishte dy vjeçe.
Më 1960, ajo shkoi në Indi me nënën e saj, Daw Khin Kyi, e cila u emërua ambasadore e Mianmarit në Delhi.
Katër vjet më vonë, shkoi në Universitetin Oksford në Mbretërinë e Bashkuar, ku studioi filozofonë, politikën dhe ekonominë. Atje takoi bashkëshortin e saj të ardhshëm, akademikun Michael Aris.
Pas jetës dhe punës në Japoni dhe Butan, ajo u vendos në Mbretërinë e Bashkuar për të rritur fëmijët e saj, Alexander dhe Kim.
Kur u kthye në Mianmar, më 1988, për t’u kujdesur për nënën e saj të sëmurë, Mianmari ishte në mes të trazirave të mëdha politike.
Mijëra studentë, punonjës zyrash dhe murgj dolën në rrugë, duke kërkuar reforma demokratike.
“Si vajza e babait tim, nuk mund të qëndroja indiferente ndaj gjithçkaje që po ndodhte”, tha ajo në një fjalim në qytetin Rangon, më 26 gusht të vitit 1988, dhe mori përsipër udhëheqjen e revoltës kundër diktatorit të atëhershëm, gjeneralit Ne Win.
E frymëzuar nga fushatat jo të dhunshme të udhëheqësit të të drejtave civile në Shtetet e Bashkuara, Martin Luther King, dhe nga Mahatma Gandhi i Indisë, ajo organizoi tubime dhe udhëtoi anembanë vendit, duke bërë thirrje për reforma demokratike paqësore dhe zgjedhje të lira.
Por, demonstratat u shtypën brutalisht nga ushtria, e cila mori pushtetin me anë të një puçi, më 18 shtator, 1988. Suu Kyi u vendos në arrest shtëpiak vitin pasues.
Qeveria ushtarake i organizoi zgjedhjet kombëtare në maj të vitit 1990, në të cilat Lidhja Kombëtare për Demokraci e Suu Kyisë fitoi bindshëm, por ushtria nuk pranoi ta dorëzonte kontrollin.
Arresti shtëpiak
Suu Kyi mbeti në arrest shtëpiak në Rangon për gjashtë vjet, derisa u la e lirë në korrik të 1995-ës.
Ajo u dërgua sërish në arrest shtëpiak në shtator të vitit 2000, pasi u përpoq të udhëtonte në qytetin Mandalaj, në kundërshtim me kufizimet e udhëtimit.
Ajo u la e lirë pa kushte në maj të vitit 2002, por pak më shumë se një vit më vonë u burgos, për shkak të një përplasjeje midis mbështetësve të saj dhe një turme të mbështetur nga qeveria.
Më vonë u lejua të kthehej në shtëpi, por përsëri nën arrest shtëpiak.
Disa herë iu mundësua të takonte zyrtarë të partisë së saj dhe diplomatë të përzgjedhur, por ajo nuk u lejua t’i shihte dy djemtë e saj apo burrin, i cili vdiq nga kanceri në mars, 1999.
Autoritetet ushtarake e lejuan të udhëtonte në Mbretërinë e Bashkuar kur ai ishte shumë i sëmurë, por ajo u detyrua të refuzonte nga frika se nuk do të lejohej të kthehej më në Birmani.
Rikthimi në politikë
Suu Kyi nuk u lejua të marrë pjesë në zgjedhjet e 7 nëntorit, 2010, të parat në Mianmar pas dy dekadash, por ajo u lirua nga arresti shtëpiak gjashtë ditë më vonë.
Djali i saj, Kim Aris, u lejua ta vizitonte për herë të parë pas dhjetë vjetësh.
Pasi qeveria e re filloi një proces reformimi, Suu Kyi dhe partia e saj iu ribashkuan procesit politik.
Kur zgjedhjet plotësuese u mbajtën në prill të vitit 2012, ajo dhe partia e saj fituan 43 nga 45 vendet në garë dhe ajo u betua si deputete dhe udhëheqëse e opozitës.
Në muajin maj të atij viti, Suu Kyi udhëtoi jashtë Mianmarit për herë të parë në 24 vjet.
“Tepër optimiste”
Megjithatë, ajo u irritua me ritmin e zhvillimit demokratik.
Në nëntor të vitit 2014, ajo tha se Mianmari nuk ka bërë ndonjë reformë të vërtetë dhe se Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë hequr pjesën më të madhe të sanksioneve kundër Mianmarit më 2012, kanë qenë “shumë optimiste” në të kaluarën.
Dhe në qershor të 2015-ës, Parlamenti i Mianmarit nuk arriti të heqë veton e ushtrisë për ndryshimet kushtetuese.
Katër muaj më vonë, më 8 nëntor, 2015, Mianmari mbajti zgjedhjet e para të hapura në 25 vjet. Lidhja Kombëtare për Demokraci shënoi fitore bindëse.
Edhe pse nuk u lejua të bëhej presidente për shkak të një kufizimi kushtetues, Suu Kyi u bë udhëheqëse de fakto në vitin 2016.
Që atëherë, udhëheqja e saj është përcaktuar nga kriza me Rohingyat.
Pas sulmeve vdekjeprurëse në stacionet e policisë në shtetin Rakhine, në gusht të vitit 2017, ushtria e Mianmarit filloi sulme brutale ndaj pakicës etnike, duke detyruar qindra mijëra të iknin përtej kufirit në Bangladesh.
Kritikët thonë se Suu Kyi nuk bëri sa duhet për të dënuar ushtrinë.
Ajo dhe Mianmari tani përballen me një proces gjyqësor në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, me qendër në Hagë, dhe Suu Kyi udhëtoi këtë javë drejt Holandës, ku do t’i luftojë akuzat për gjenocid kundër vendit të saj.
Që nga marrja e pushtetit, Suu Kyi dhe qeveria e saj janë përballur me kritika edhe për ndjekjen penale të gazetarëve dhe aktivistëve, duke përdorur ligje të epokës koloniale.
Përparim është bërë në disa fusha, por ushtria vazhdon të mbajë një të katërtën e vendeve në parlament dhe kontrollin e ministrive kryesore – përfshirë atë të Mbrojtjes, të Punëve të Brendshme dhe të Çështjeve Kufitare.