Suu Kyi flet për herë të parë për dhunën ndaj myslimanëve

Prishtinë | 19 Sht 2017 | 18:58 | Nga

Udhëheqësja de fakto e Birmanisë, Aung San Suu Kyi, mbajti të martën fjalimin e paralajmëruar mbi krizën e vendit të saj në shtetin Rakhine, ku dhuna detyroi rreth 400 mijë rohingya etnik të ikin në Bangladeshin fqinjë gjatë javëve të fundit.

Në komentet e saj të para që nga fillimi i krizës, ajo ishte e kujdesshme që të mos fajësojë asnjë grup për krizën.

“Pati shumë shqetësime gjithandej nëpër botë mbi situatën në Rakhine”, tha ajo. “Nuk është qëllim i qeverisë së Mianmarit që të shpërndajë apo të mohojë përgjegjësinë”.

Suu Kyi dënoi çdo shkelje të të drejtave të njeriut, sikurse edhe “çdo dhunë të paligjshme”.

“Jemi të përkushtuar për rivendosjen e paqes, qëndrueshmërisë dhe sundimit të ligjit”, tha zonja Suu Kyi në fjalimin e saj në kryeqytetin Naypyitaw.

Ajo tha se ishte e shqetësuar me numrin e madh të myslimanëve që ikën në Bangladesh, ndërsa shtoi se pjesa më e madhe e fshatrave të myslimanëve rohingya nuk janë prekur nga dhuna dhe u bëri thirrje diplomatëve që të vizitojë zonën për të parë nga afër se çfarë po ndodhë dhe të ndihmojnë Mianmarin që të gjejë një zgjidhje për problemet në Rakhine.

Militantët rohingya sulmuan forcat e sigurisë së Mianmarit në fund të muajit gusht. Që atëherë, analistët dhe punonjësit humanitarë thanë se ushtria reagoi me brutalitet duke djegur fshatra të tëra dhe duke vrarë gra e fëmijë që po iknin.

Fituesja e çmimit Nobel për paqe, u vu nën kritikat ndërkombëtare për heshtjen ndaj situatës. Ajo anuloi paraqitjen në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara këtë javë, pjesërisht për t’u marrë me krizën .

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme