Presidenti i parlamentit të Serbisë, Ivica Daçiq, ka ndërruar qasje karshi çështjes së të pagjeturve. Daçiq, dikur që shprehte nervozizëm ndaj serbëve që pretendonte se tregonin ku janë varrosur shqiptarët, ka thënë se problemi me të pagjeturit duhet të jetë prioritet.
Daçiq këtë e tha në një intervistënë mediumin ‘Deutsche Welle’, derisa tha se sfera politike nuk duhet të implikohet në zgjidhjen e problemit të të pagjeturve.
“Unë gjithashtu mendoj se ky problem duhet të zgjidhet. Por nuk e di pse mendoni se politikanët duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë. Me sa di unë, në Serbi askujt nuk i është ndaluar kurrë të bëjë asgjë, madje as nuk është urdhëruar të bëjë asgjë”, ka deklaruar ai.
“Fati i njerëzve të zhdukur është një nga çështjet që duhet patjetër të adresohen”, deklaroi ndër të tjera kryeparlamentari serb, derisa fajësoi autoritetet kosovare për mos-përfillje të një liste të vendeve kërkimin e varrezave masive në Serbi.
Daçiq, vitin e kaluar, në një televizion serb, thoshte se nuk di se çfarë të bëjë me serbët të cilët po tregojnë se ku janë të varrosur shqiptarët në të gjithë Serbinë.
“Lëreni ju amerikanët, gjermanët, turqit, çfarë të bëjmë ne me serbët? Që ju tregojnë shqiptarëve, kroatëve, e flasin lloj lloj budallallëqesh të ndryshme, e ju tregojnë se ku janë varrosur shqiptarët në gjithë Serbinë”, shprehej ai.
Po ashtu, ai deklaroi në intervistë se marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm nëpërmjet një kompromisi, derisa e ka përjashtuar mundësinë e njohjes së ndërsjellë.
“Sigurisht që ne e dimë se ku dallojmë. Dhe sigurisht që ne gjithashtu e dimë se çfarë mendon pala gjermane, si duhet të veprojmë, domethënë që Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës. Nga ana tjetër, ne jemi për zgjidhje politike, për kompromise – por jo për ato për të cilat po flasim tani. Ky nuk është një kompromis, kjo është kërkesë nga Prishtina (njohja diplomatike)”, ka thënë ndër të tjera ai. /Gazeta Express/