Dilema për 50 milionë euro investime në aparatura shëndetësore

Prishtinë | 25 Jan 2017 | 08:20 | Nga

Zyrtarë shëndetësorë zotohen se në vlerë prej rreth 50 milionë eurove, sa janë miratuar nga Këshilli Kombëtar për Investime, do të blihen pajisje mjekësore për nevojat e Shërbimit Klinik Spitalor Universitar të Kosovës. Por, ky projekt sipas Sindikatës është skeptik pasi nuk paraqiten afate kohore dhe specifika, të paktën në vija të trasha, në lidhje me kohën se kur do të bëhen investimet.

Rezonanca Magnetike, CT, ultrazë , gastroskopë, mikroskopë, Eho dhe pajisje tjera të sofistikuara do të jenë në dispozicion të pacientëve kosovarë.

Kjo, nëse do të jetësohet një projekt i Ministrisë së Shëndetësisë, në vlerë prej rreth 50 milionë eurove që është miratuar nga Këshilli Kombëtar për Investime.

Me blerjen e këtyre pajisjeve mjekësore zyrtarë shëndetësorë zotohen se do të mund të ofrohen të gjitha shërbimet për pacientët që kërkojnë shërbime shëndetësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ndërkohë sindikalistët e shëndetësisë janë pesimistë se ky projekt do të jetësohet.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se Këshilli Kombëtar për Investime ka miratuar projektin për sigurimin e pajisjeve mjekësore në vlerë prej rreth 50 milionë eurove.

“Këshilli Kombëtar për Investime, ku marrin pjesë tetë ministra të Qeverisë së Kosovës, ka miratuar projektin e Ministrisë së Shëndetësisë: Furnizimi i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës për pajisje mjekësore, në vlerë prej rreth 50 milionë eurove”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë. (Zeri)

Të ngjashme