Dinamikë e shtuar në ndërtimin e fshatit social në Gjilan

Prishtinë | 15 Tet 2018 | 16:19 | Nga Ekonomia Online

Në konferencën e sotme me gazetarë që ka mbajtur drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Selami Xhemajli, ka prezantuar punën që është bërë në këtë drejtori në të gjitha fushat, duke spikatur sukseset, sfidat dhe planifikimin për periudhën e mbetur të këtij viti.

Xhemajli ka thënë se në sektorin e mirëqenies sociale kjo Drejtori ka mbuluar pagesat e qerave mujore për 48 familje me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale.

“Përpos pagesës së qerasë dhe shqyrtimit të kontratave të banesave sociale, kemi inicuar edhe procedurat e prokurimit për rinovimin e shtëpive për familjet me gjendje të rëndë ekonomike. Prioritet në këtë kontratë do të jenë familjet që krahas gjendjes së rëndë ekonomike dhe sociale kanë edhe persona me nevoja të veçanta. Ndërkaq, me grupin e deputetëve 6+ është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit për ndërtimin e një shtëpie për një familje të komunitetit turk”, ka thënë drejtori Xhemajli.

Ai ka njoftuar se në bashkëpunim me qeverinë e Kuvajtit si donator, në Gjilan, po vazhdojnë me dinamikë të shtuar punimet për ndërtimin e fshatit social, ku hynë objektet për qëndrim të fëmijëve të braktisur, ata me nevoja të veçanta, mbrojtjen e nënave, shtëpisë së të moshuarve, konvikteve për fëmijë meshkuj dhe atë për femra, shkollës etj.

Gjithashtu, drejtoria e shëndetësisë subvencionet këtë vit i ka ndarë përmes thirrjes publike me aplikim të OJQ-ve, përmes projekteve, ku faza e parë tashmë është realizuar dhe tani do të vazhdojmë edhe me fazën e dytë.

Xhemajli theksoi se në sektorin e shëndetësisë primare po vazhdojnë duke vazhduar me monitorimin e ndërtimit të objektit të QKMF -së, i cili është duke u bërë në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe do të plotësoj të gjitha kushtet për trajtim dinjitoz të pacientëve.

“Përpos investimeve kapitale te objekti i ri i QKMF-së, në shëndetësinë primare jemi duke dhënë shërbime të ndryshme shëndetësore. Në këtë fazë është bërë ftesa për vaksinimin e fëmijëve dhe të moshuarve, për mbrojtjen nga gripet sezonale. Gjithashtu, komisioni në baza mujore është duke trajtuar edhe rastet e ndryshme për mbështetje me barna nga lista esenciale. Në shëndetësinë primare janë duke u implementuar të gjitha programet që kanë qëllim shëndetin më të mirë të pacientëve, fëmijëve, grave shtatzëna dhe të moshuarve”, ka pohuar ndër të tjerash drejtori Selami Xhemajli.

Gjithashtu në fund ai ka thënë se këtë vit me sukses është përmbyllur edhe projekti për dezinsektimin hapësinor, dezinfektimin dhe deratizimin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme