E shoh shumë nëpër komente që gjoja me u shprehë lirshëm mundesh me fy dinjitetin njerëzor të dikujt apo të ndonjë grupi të caktuar njerëzish.
Sa për informacion, dinjiteti si fjalë në të kaluarën ka nënkuptua që njeriu i dinjitetshëm është ai që ka një status më të lartë në shoqëri (pjesë e familjes mbretërore, familjeve feudale, klerikët etj).
Prandaj, në deklaratën e pavarësisë së SHBA-ve nuk e gjeni shprehjen ‘Dinjiteti njerëzor’ (Human Dignity).
‘Dinjitetin njerëzor’ siç e kuptojmë sot nuk ka ekzistuar deri në vitin 1948 kur bëhet pjesë e Deklaratës së të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara.
Në këtë deklaratë, dinjiteti njerëzor në thelb nënkupton respektimi i tjetrit për atë çka është e siç është. Respektimi me etikë i dallimeve mes njerëzve.
Mbi këtë bazë, nuk ka asnjë arsye për të reaguar me dhunë kundër dikujt që shprehet lirshëm rreth diçkaje. Sepse nëse ai që është shprehur lirshëm ka tejkalua etikën e shprehjes, atëherë duhet kërkuar rrugët ligjore dhe institucionale për të kërkuar drejtësi, për të mbrojtur pikërisht deklaratën rreth dinjitetit njerëzor. Nëse e sulmon, atëherë po e trajton njeriun si të pa dinjitetshëm dhe po e shkelë kuptimin e dinjitetit si të tillë.
Mirë është njerëzit së pari me e kuptua çka është liria e fjalës. Pastaj çka të bën njeri të arsyeshëm, pastaj e kupton që askush nuk mundet me ta fye dinjitetin me fjalë.
Respekte për njerëzit e emancipuar dhe nuk fyejnë. Pra edhe respekte pafund për njerëzit që shprehen lirshëm, shajnë dhe shfryhen me fjalë, por kurrë nuk u shkon në mendje me dalë edhe me dhunua fizikisht ndonjë njeri, për çfardo mendimi që dikush jep.
Toleranca është baza e një paqeje të ndritshme njerëzore.
Liria e fjalës është elementi bazë i njeriut me dinjitet!