Edicioni i sivjetmë i festivalit të popullarizuar italian, Sanremo, ishte më i veçantë, duke qenë se performoi këngëtarja e famshme shqiptare, Dua Lipa, si edhe prezantoi moderatorja e njohur shqiptare, Alketa Vejsiu.
Porse, duke qenë një eveniment garues muzikor, u shpall edhe fituesi. Çmimi i parë në “Sanremo 2020” u rrëmbye nga kantautori Diodato me këngën “Fai Rumore” (“Bëj zhurmë”) – transmeton Top Channel.
Diodato, i cili do ta përfaqësojë Italinë në Eurovision fitoi gjithashtu çmimin e Kritikës dhe çmimin ”Lucio Dalla”. Pas tij u rendit Francesco Gabbani dhe në vend të tretë Pinguini Tattici Nucleari.
Një vit më parë, Italia u përfaqësua nga këngëtari Mahmood me këngën “Soldi”, e cila u rendit e dyta në Eurovision.
Përgjatë mbrëmjes, spektakli u shoqërua me zhvillime të shumta. Amadeus nuk e humbi bastin në finalen e Sanremos dhe erdhi në skenë si Maria De Filippi.
Fiorello dhe Amadeus kishin vënë një bast: nëse shikueshmëria e festivalit do t’i kalonte 50 për qind, atëherë në skenë do të imitohej Maria De Filippi dhe kështu ndodhi.
Kështu Amadeus vendosi parukën bionde dhe zbriti shkallët e teatrit Ariston për të imituar moderatoren e “C’è posta per te”.