Kosovës i mungojnë njohjet që nga 15 shkurti i vitit 2018, saktësisht më shumë se 13 muaj nga tani.
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, në fillim të mandatit të tij kishte premtuar se numri i njohjeve të Kosovës do të rritej në 160 gjatë mandatit të tij, por kjo nuk ndodhi, shkruan lajmi.net.
Në anën tjetër, Serbia gjatë kësaj kohe ka qenë e aktivizuar në lobim për tërheqje të njohjeve të Kosovës te vende të ndryshme, e sipas tyre, numri i vendeve qe e kanë tërhequr njohjen e Kosovës është 15, e një gjë e tillë, mohohet nga diplomacia kosovare.
Por ku qëndron problemi? Pse po mungon efikasiteti i Kosovës në sjelljen e njohjeve të reja?
Lajmi.net ka diskutuar për këtë çështje me Fatmir Haxhollin, këshilltarin e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacollit.
Haxholli për lajmi.net ka numëruar disa nga sukseset diplomatike të Kosovës deri më sot, duke numëruar disa shkaqe pse në këtë moment janë ndalur njohjet.
“Elementi i parë është se çështja e shtetësisë së Kosovës është kapitull i mbyllur. Kosova është shtet i pavarur në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Numri i njohjeve është i rëndësishëm, por nuk ndërlidhet drejtpërdrejt me çështjen e shtetësisë. Element tjetër i rëndësishëm është se Kosova gjatë 11 viteve shtetësi e ka fituar betejën për çështjen e njohjeve, për një arsye, se 116 vende e kanë njohur për 11 vite. Ka qenë një valë e furishme e njohjeve, sigurisht e përkrahur nga SHBA-të dhe vendet e fuqishme të BE-së. Elementi i tretë, Kosova e ka fituar betejën diplomatike me këto njohje sepse një numër i tyre janë kualitative, sepse pjesa dërmuese e vendeve anëtare të BE-së dhe NATO-s si dy organizata të rëndësishme strategjike politike dhe të sigurisë, shumica e vendeve të rëndësishme në kuadër të këtyre dy organizatave e kanë njohur Kosovën”, është shprehur Haxholli për lajmi.net.
Sa i përket faktit që jemi ndalur tek numri i njohjeve, Haxholli është shprehur se kjo vjen si shkak i multipolaritetit të vendeve të botës dhe marrëdhënieve të tyre edhe me shtetet që janë kundër pavarësisë së Kosovës.
“Sa i përket faktit që jemi ndalë tek ky numër për momentin, them për momentin sepse çështja e njohjeve nuk ka trajektore standarde. Duhet të themi se bota është bërë multipolare dhe ne mund të kemi shtete që na kanë njohur, por kanë marrëdhënie me akterë tjerë global me influencë, që për një arsye ose tjetër mund të përkrahin një temë, por jo në një temë tjetër. Shembull, rezoluta e organizatës për bashkëpunim islamik, e aprovuar me anonimitet që iu bën thirrje vendeve që nuk na kanë njohur – ta njohin Kosovën. Por, në anën tjetër kanë interesa me akterë si Rusia ose Kina dhe provojnë t’i balancojnë interesat. Pra, çështja e njohjeve në këtë pikë e një pjesë tjetër të vendeve që nuk na kanë njohur kjo ka të bëjë me interesat e veçanta të disa vendeve që kanë partneritet me vendet që nuk e përkrahin Kosovës. Jo pse janë kundër Kosovës, por nuk e kanë në domenin e tyre strategjik Kosovën”, është shprehur Haxholli.
Haxholli ka thënë për lajmi.net se Kosova është shtet i pranuar edhe në 50 organizata ndërkombëtare dhe rajonale, e gjithashtu edhe BE në mënyrë implicite e pranon shtetësinë e Kosovës.
Ai gjithashtu ka folur edhe rreth verdiktit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës, duke shtuar se edhe OKB-ja e ka pranuar shtetësinë e Kosovës.
“Kosova ka fituar edhe duke u anëtarësuar në mbi 50 organizata ndërkombëtare dhe rajonale, dhe ky anëtarësim është atribut i shtetësisë në rrafshin ndërkombëtar. Dhe BE-ja i referohet Kosovës si vend, do të thotë, në mënyrë implicite e pranon shtetësinë e Kosovës. Ne e kemi fituar betejën edhe me legalitetin e pavarësisë së Kosovës, asambleja e përgjithshme e kombeve të bashkuara, ka kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka thënë se është në të drejtën ndërkombëtare. Pra, edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara e ka pranuar shtetësinë e Kosovës”, tha Haxholli.
Në fund Haxholli ka treguar se çfarë ka punuar Ministria e Punëve të Jashtme sa i përket ndërkombëtarizimit të Kosovës.
“Ne kemi marrë 116 njohje, ka qenë një periudhë e konfirmimit dhe kjo nënkupton që të mirëmbahet marrëdhënia jonë me vendet që na kanë njohur. Njohja dhe marrëdhëniet diplomatike janë diçka tjetër. Çka kemi bërë ne? Ne kemi vendosur që t’i hapim mbi 10 misione diplomatike, si zyra ndërlidhëse në Greqi, ambasada në Portugali, mision në Tajlandë dhe Bangladesh, mundësi të hapjes së misionit në Kolumbi. Ne njohjet i kemi pasur, përveç Greqisë që është treguar konstruktive dhe është në paradhomë për njohje të Kosovës dhe do të punojmë edhe me 4 shtetet tjera që nuk na kanë njohur që të vendosim marrëdhënie diplomatike.”, ka thënë Haxolli në fund për lajmi.net.
Por ndryshe këtë çështje e sheh, profesori universitar Arben Fetoshi.
Ai në një prononcim për lajmi.net ka përmendur dy probleme që e kanë penguar Kosovën në procesin e ndërkombëtarizimit.
E para sipas Fetoshit ka të bëjë me dobësitë e shërbimit diplomatik të Kosovës dhe problemet në organizim të punës dhe performancës të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
“E para ka të bëjë me dobësitë që e kanë karakterizuar shërbimin diplomatik në përgjithësi Ministrinë e Punëve të Jashtme është karakterizuar jo vetëm me probleme në organizim të punës dhe përformances në kuptimin e avancimit të marrëdhënieve diplomatike që Kosova ka me vende të caktuara në botë. Por edhe vetë Ministria e Punëve të Jashtme si dikaster që prodhon politikat e diplomacisë tonë është karakterizuar me skandale të herë pas hershme që mendoj janë faktori i parë që e kanë penguar Kosovën në procesin e ndërkombëtarizimit”, është shprehur Fetoshi.
Fetoshi gjithashtu është shprehur se edhe dialogu i ngrirë Kosovë – Serbi paraqet një shkak tjetër të bllokimit të njohjeve.
Sipas tij, shumë vende e presin konkludimin e kësaj marrëveshje që të pozicionohen karshi pavarësisë së Kosovës.
“Ndërsa mendimi im është se bllokimi i procesit të njohjeve të reja për Kosovën ka ardhur si pasojë e dialogut të Kosovës dhe Serbisë, për shkak se dialogu tani është tema e cila ka mbivendosur të gjitha temat tjera duke qenë tema kryesore ose angazhimi kryesor i BE- në Ballkanin perëndimor dhe sigurisht shtetar që ende se kanën njohur Kosovën, në këtë rast shohin dhe presin konkludimin e procesit të dialogut dhe më pas varësisht nga marrëveshja ligjërisht obligative siç quhet t’i qasen Kosovës për njohjen e mëtejshme ose jo. Pra dialogu Kosovë – Serbi ka qenë faktori i dytë që e mban peng procesin e njohjes për Kosovën për shkak se konkludimi i këtij procesi do të zhbllokonte me automatizëm procesin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, meqë pritet që marrëveshja përfundimtare të zhbllokojë edhe procesin e anëtarësimit të Kosovës në OKB”, ka thënë në fund Fetoshi.
Vlen të theksohet fakti se ministri Pacolli ka nënshkruar edhe një marrëveshje me vendet arabe për njohje të Kosovës, rreth 70 shtete, të cilat asnjëra nga ato deri më tani nuk e ka njohur Kosovën.
Mungesa e njohjeve, e sidomos e pesë vendeve të Bashkimit Evropian që janë kundër pavarësisë së Kosovës dhe nuk e kanë njohur ende, po e pengon edhe anëtarësimit e Kosovës në organizata të mëdha me rëndësi siç është INTERPOL-i. /