Zëvendësministri i jashtëm rus, Sergei Ryabkov, dhe homologu i tij iranian, Abbas Araqchi, diskutuan për çështjet që lidhen me marrëveshjen e vitit 2015 për armët bërthamore në kohën kur tensionet mes Tehranit dhe Uashingtonit janë rritur.
Sipas raportimeve të medieve iraniane, Ryabkov udhëtoi në Tehran të mërkurën për të diskutuar për zhvillimet e fundit rreth kësaj marrëveshjeje të Iranit me gjashtë fuqitë botërore, sipas së cilës, Irani duhet të zvogëlojë aktivitetin bërthamore në këmbim të lirimit nga sanksionet ndërkombëtare.
Ryabkov dhe Araqchi biseduan për vendimin e Iranit për të mos i respektuar disa pika të marrëveshjes mes Iranit në njërën anë dhe Shteteve të Bashkuara, Rusisë, Kinës, Britanisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë në anën tjetër.
Njoftimi për largimin e pjesshëm të Iranit nga marrëveshja bërthamore u dha më 8 maj, një vit pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga i njëjti traktat dhe rikthimit të sanksioneve ndaj vendit islamik. Irani gjithashtu iu dha 60 ditë afat shteteve evropiane për t’i zbatuar obligimet që dalin nga kjo marrëveshje.
Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë rritur pas dërgimit të trupave ushtarake dhe armëve amerikane në Lindje të Mesme. Ndonëse situata mbetet e tensionuar, presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërkuar që Irani të kthehet në tavolinën e bisedimeve për arritjen e një marrëveshjeje të re bërthamore, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.