Diplomati austriak: Draftstatuti i Ascoacionit është në interes të Kosovës ta zbatojë atë

Prishtinë | 23 Dhj 2023 | 17:03 | Nga Ekonomia Online

Diplomati austriak, Wolfgang Petritsch ka komentuar draft-statutin e propozuar për Asociacionin.

Petritsch është shprehur se ai është draft bazik dhe i mirë por ka shtuar se kjo është në interes të Kosovës, pasi do të zbatohet në territorin e saj.

Ai ka shtuar se nuk e do një Kosovë jofunksionale dhe që ky konflikt të zgjasë përgjithmonë.

“Mendoj që është draft bazik, është draft i mirë. Autorët e këtij drafti duket se kanë parë më gjerë konfliktin dhe është përdorur një gjuhë, që ndoshta edhe do të rafinohet, mirëpo është në interes të Prishtinës, sepse është territori i saj ku do të zbatohet, nëse do të zbatohet. Ne nuk e duam një Kosovë jofunksionale, nuk duam që ky konflikt të zgjasë përgjithmonë“, ka deklaruar ai për REL.

Tutje Petritsch ka marrë si shembull çështjen e Palestinës, duke dhënë paralajmërime se një konflikt potencial mund të zgjasë edhe mes Kosovës dhe Serbisë.

“Shiheni Lindjen e Mesme, ku prej vitit 1948, çështja palestineze është e pazgjidhur. Palestinezët kanë bërë shumë gabime. Ata nuk janë të pafajshëm. Edhe Izraeli, në anën tjetër, ka bërë shumë gabime. Dhe kjo duhet të shërbejë si shenjë paralajmëruese që sa më shumë që zgjat konflikti, aq më i thellë bëhet dhe tani kur analizohet Lindja e Mesme, askush nuk mund të dalë me zgjidhje të shpejtë, dhe do të duhet, fatkeqësisht, një kohë shumë më e gjatë”, është shprehur ai.

Të ngjashme