Diplomoi gjenerata e re e oficerëve doganorë në 26-vjetorin e Doganës së Kosovës

Prishtinë | 12 Gus 2025 | 11:06 | Nga Ekonomia Online

Diplomoi gjenerata e oficerëve doganorë në solemnitetin e organizuar me rastin e shënimit edhe të 26-vjetorit të themelimit të Doganës së Kosovës, që u mbajt në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti përgëzoi 107 kadetët doganorë për diplomim.

“Sot, rezultatet janë të prekshme e të dukshme: rritje të ndjeshme të konfiskimeve dhe një kontroll më të madh mbi kufijtë tanë. Dogana ka arritur rekorde historike në të hyra, duke tejkaluar projeksionet vjetore. Marrëveshja për hapësirat e përbashkëta doganore me Shqipërinë ka ulur ndjeshëm kostot për bizneset tona dhe ka rritur efikasitetin. Po ashtu, vendosja e shumicës së terminaleve në menaxhim të shtetit ka kursyer miliona euro për ekonominë tonë duke bërë që kostoja për bizneset të ulet dukshëm”, tha ai.

Duke uruar gjeneratën e re të oficerëve doganorë, Kurti tha se me ta Dogana përveçse staf të ri, fiton edhe energji të re, mendim të freskët dhe motivim për të ecur bashkë përpara, teksa tha se ata nuk janë thjesht punonjës të ardhshëm, por mbrojtës të kufirit ligjor dhe ekonomik të vendit.

“Shërbimi juaj kërkon integritet, përkushtim dhe guxim. Nuk është vetëm punë, është mision. Një mision për të cilin pak njerëz kanë privilegjin të angazhohen, por përgjegjësia e të cilit është e lartë, sepse çdo vendim juaji prek sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve”, tha Kurti.

Ndërsa, ministri i Financave Hekuran Murati e cilësoi diplomimin e kadetëve doganorë si moment krenarie që i vihen në shërbim vendit.

“ Ky sot është një moment krenarie për familjarët, por edhe për vetë kadetët, të cilët po vihen në shërbim vendit. Nuk ka detyrë e punë më fisnike se sa të shërbesh për shtetin tënd, për vendin tënd”, tha ai.

Murati tha se janë rritur të hyrat pa ndryshuar politikat tatimore.

“Kthimi i terminaleve në pronësi të shtetit ka lehtësuar koston financiare të bizneseve.
Edhe Porti në Durrës ka lehtësuar qarkullimin e mallrave”, tha ai.

Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, vuri në dukje aspekte të punës së këtij institucioni dhe të arriturat, duke u shprehur mirënjohje punonjësve të këtij institucioni për punë me integritet.

Kurse, zëvendësshefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova theksoi mbështetjen e vazhdueshme që BE-ja i ka ofruar institucioneve doganore që nga viti 1999.

Të ngjashme