150 studentë kanë diplomuar këtë vit akademik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Të diplomuarit janë nga afati i shtatorit, raporton Ekonomia Online.
Të lumtur u shprehën studentë e staf akademik, të cilët u shprehën se të diplomuarit janë të gatshëm për tregun e punës. Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Qerim Qerimi, para të pranishmëve tha se studentët do të kalojnë në pjesën e komunitetit global të profesionistëve.
Me këtë rast, Qerimi tha se “vendi ka nevojë për inteligjencën, për integritetin dhe për vizionin që u formua në Universitetin tonë të dashur”.
“Kjo është dita juaj, ne jemi mbledhur këtu për të nderuar punën tuaj, për të festuar arritjet tuaja dhe për të njohur rrugëtimin tuaj shpesh të vështirë e nganjëherë sfidues, përkatësisht ndriçues që ka sjellur secilin prej nesh në këtë moment spektakolar. Kjo nuk është vetëm një ceremoni, është një moment që shënon një fund dhe një fillim të ri dhe ne jemi këtu sot për të festuar kalimin tuaj nga të qenit student, në të qenit pjesë e një komuniteti global për profesionistët e fushave të ndryshme. Bota jashtë për ju, më besoni kur them se është një botë që ka nevojë për inteligjencën, për integritetin dhe për vizionin që u formua në Universitetin tonë të dashur”, tha Qerimi.
Qerimi foli edhe për vizionin që e ka ky universitet, me ç’rast e quajti UP-në “simbol të përparimit”.
“Universiteti i Prishtinës është më shumë se thjeshtë një montim i gurëve dhe i çelikut, më shumë se thjeshtë klasa të mbushura me karrige, tavolina apo godina të formave, përmbajtjeve, përmasave të ndryshme, apo laborator të mbushur me pajisje, ne jemi një farë e shpresës, një simbol i përparimit, një qendër për mendimet kureshtare që sfidojnë normat e vendosura dhe vendosin e vazhdojnë të rriten vazhdimisht. Ne jemi e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja jo vetëm e Kosovës por në të vërtetë e një botë të ndërlidhur e të ndërvarur”, u shpreh tutje Qerimi.
Regjisorja Blerta Basholli, foli për sfidat drejtë rrugëtimit të saj akademik. Basholli rrëfeu rrugëtimin e saj, duke filluar si studente në Fakultetin e Arteve në vitin 2001 duke e çuar në studimet ndërkombëtare si përfituese e një burse prestigjioze për punën e saj regjisoriale.
“Kjo është kur zgjedh diçka me dashuri, me pasion sepse nganjëherë ëndrrat i ke në qiell e ngatë e ki qiririn se s’ki as rrymë, përkundër dëshpërimit që e kom ndi po edhe rrethit që më kanë këqyrë me njëfarë dhembshurie për profesionin që e kom zgjedh, unë prape kom vazhduar, sepse e kom dashtë dhe e dua punën që e bëjë. Ajo që kam gjet gjithmonë ka qenë një solidaritet që rrallë herë e gjejmë në vende të tjera jashtë Kosovës”, u shpreh Basholli.
E Arjeta Krasniqi, e cila ka diplomuar në qershor të këtij viti, e konsideroi privilegj momentin e diplomimit të saj. Ajo falënderoi stafin akademik.
“Nder e privilegj që sot jam para jush si një e diplomuar, sot kemi ardhur të gjithë së bashku në ceremoninë e diplomimit për të festuar një sukses të madh. Diplomat që marrim sot është shërbim i punës së palodhur dhe përkushtimit tonë në udhën drejtë diturisë, andaj ju faleminderit shumë që sot jeni këtu për të ndarë këtë ditë të veçantë për ne”, u shpreh ajo.