Shkencëtarët në SHBA kanë aprovuar një version të ri të barnave kundër shtypjes së lartë të gjakut.
Medikamenti i ri njihet me emrin Diovan dhe është prodhuar në një laborator në Mumbai të Indisë deklaroi Administrata e Ushqimeve dhe Barnave.
Shkencëtarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nisën prodhimin e këtyre barnave të reja, pasi vërejtën se shumë barna kundër shtypjes së lartë të gjakut janë të kontaminuara nga një numër i madh i toksinave.
Përafërsisht 20 milion njerëz në gjithë botën, janë ekspozuar ndaj këtyre toksinave disa prej të cilave rrisin rrezikun për kancer. Për shkencëtarët të cilët kishin marrë pjesë në këto studime, parësore ishte të zbutin mungesën e barnave kundër shtypjes së lartë të gjakut, dhe gjetjen e barnave të reja të cilat përmbajnë sa më pak substanca toksike.
Barnat e prodhuara në Kinë dhe Mumbai të Indisë, kishin një përmbajtje të dy substancave toksike: NDEA-nitrosodietilamina dhe NDMA- nitrosodimetetilamina.
Administratat e barnave në Evropë për herë të parë detektuan këtë fenomen në vitin 2018, dhe filluan menjëherë të marrin masa për të ndaluar prodhimin dhe heqjen e tyre nga tregu. Hulumtimet e mëtutjeshme bënë që lista e barnave të kontaminuara të rritet.
Në përgjithësi barnat të cilat prodhohen në Kinë dhe Indi kishin një përmbajtje më të madhe të substancave helmuese që mund ta shkaktonin kancerin.
Tani është shfaqur nevoja urgjente për të zëvendësuar këto barna, për shkak se pacientët të cilët vuajnë nga sëmundjet e lidhura me hipertensionin kanë mungesë të tyre.