Disa biznese dalin të jenë pengesë për zgjerimin e rrugës në Veternik

Prishtinë | 07 Qer 2018 | 10:20 | Nga

Punimet për zgjerimin e rrugës hyrëse për në qytetin e Prishtinës janë duke ecur me ritme mjaft të ngadalta dhe vonesa të shumta.

Kjo për shkak se përgjatë gjatësisë ku do të shtrihet aksi rrugor ndodhen disa objekte në pronësi të institucioneve shtetërore dhe subjekteve private të cilat kanë kontratë për shfrytëzimin e këtyre sipërfaqeve.

Që në fillimet e ndërtimit të saj, në muajin Prill të vitit të shkuar rruga për Veternik u shemb për shkak të rrëshqitjes së dheut.

Punimet në muajin maj kanë filluar përsëri, dhe ky segment rrugor planifikohet të zgjerohet në të dy anët e rrugës, shkruan Arbresh.info.

Kurse segmenti tjetër i rrugës që kalon nga Veterniku për Hajvali afër shumë objekteve afariste, me të cilat Ministria si duket po ka telashe për të vazhduar punimet.

Për këtë shkak duket se vijimi i punimeve do të varet nga kohëzgjatja e proceseve që do të marrin këto biznese.

Megjithëse ministria e Infrastrukturës lajmëron se nuk janë duke pasur asnjë problem, duket se mbarimi i saj do të zgjatet goxha në kohë.

Pasi që gjendja në terren tregon krejt ndryshe, tek pjesa ku gjendet pompa e derivateve ‘AL Petrol’, punimet janë ndërprerë aty dhe shihet që ky biznes ende nuk ka liruar pjesën e nevojshme për zgjerim të rrugës.

Zyrtari për media në Ministrisë së Infrastrukturës, Argjend Zejnaj lidhur me këtë ka thënë se asnjë biznes apo pronë nuk do të trajtohet ndryshe nga të tjerat.

“Traseja e këtij segmenti do të jetë ashtu siç është paraparë në projekt, asnjë biznes apo pronë nuk do të trajtohet ndryshe nga të tjerat, ligji do të vlejë për të gjitha shpronësimet njëjtë (nëse ka nevojë për shpronësim) dhe projekti do të implementohet në tërësi me të gjitha elementet përcjellëse mbi e nën tokësore. Punimet janë duke vazhduar sipas planifikimit tashmë pasi janë zgjidhur edhe disa nga çështjet e fundit, dhe pompa e cila është aty, nuk do të jetë më pengesë për zgjerimin e nevojshëm të trasesë së rrugës”, ka thënë ai.

Lidhur me rrëshqitjen e dheut, Zejnaj ka thënë se do të sanohet dhe se rruga do të ndërtohet.

“Në ketë segment punët kanë rifilluar, rrëshqitja ka ndodhë nuk mund të zhbëhet por e njëjta do të sanohet dhe rruga do të ndërtohet. Sa i përket fajtorit pse ka ndodhë rrëshqitja, atë nuk mund ta themi ne, por ekspertët të cilët po bëjnë punën përfundimtare për raportin lidhur me ketë “lëshim” që ka ndodhur qoftë gjatë projektimit, qoftë gjatë implementimit apo edhe neglizhencë e mbikëqyrjes. E mira në gjithë ketë është se, tani po punohet që të mos përsëritet ajo ngjarje e këtij fillim viti”, ka shtuar ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme