Disa të vrarë nga një shpërthim në Kabul

Prishtinë | 13 Nën 2019 | 09:30 | Nga Ekonomia Online

Të paktën shtatë njerëz u vranë dhe po aq u plagosën kur një makinë bombë shpërtheu pranë ministrisë së Brendshme afgane në Kabul, njoftuan zyrtarët.

Shpërthimi ndodhi në zonën Qasaba në rrethin e policisë së kryeqytetit në veri të aeroportit të Kabulit, tha zëdhënësi i ministrisë së Brendshme Nasrat Rahimi.

Askush deri më tani nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Militantët taliban sikurse grupi militant ekstremist Shtetit Islamik janë aktivë në Kabul.

Të gjithë të vdekurit ishin civilë, tha Rahimi, ndërsa shtoi se numri i viktimave mund të rritet.

Shpërthimi erdhi një ditë pasi qeveria afgane liroi tre të burgosur kryesorë nga rradhët e talibanëve – duke përfshirë Anas Haqqani, vëllain më të ri të Sirajjuddin Haqqani, drejtuesin e rrjetit Haqqani – në këmbim të dy profesorëve të Universitetit Amerikan të Afganistanit në Kabul – një amerikan dhe një australian.

Disa analistë kishin shpresuar se ky zhvillim mund të ulë dhunën në Afganistan.

As talibanët dhe as rrjeti Haqqani, i cili është pjesë e grupit militant, nuk e kanë komentuar deri më tani për shkëmbimin e të burgosurve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme