Disapora shqiptare për herë të parë përfaqësohet me ministra nga dy shtetet

Prishtinë | 05 Shk 2018 | 14:52 | Nga

Për herë të parë në historinë e kombit, diaspora shqiptare po përfaqësohet në nivel Ministrash nga dy shtetet, Kosova dhe Shqipëria. Dardan Gashi, Ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike dhe njëkohësisht zv. Kryeministër në Qeverinë e Kosovës dhe Pandeli Majko, Ministër i Shtetit për Diasporën në Qeverinë e Shqipërisë, kanë nisur sot në objektin e Konsulatës së Kosovës takimet e përbashkëta, duke filluar me temën e mësimit plotësues të gjuhës Shqipe në ShBA, transmeton Ekonomia Online.

Ministria e Disaporës së Kosovës përmes një komunikate për medie njofton se Majko dhe Gashi së bashku takuan drejtorët e shkollave Shqipe në qytetin e New Yorkut me të cilët diskutuan implementimin e marrëveshjeve ndërshtetërore të nënshkruara si në fushën e bashkëpunimit me dhe për diasporën ashtu edhe marrëveshjen konkrete për mësimin plotësues të gjuhës Shqipe.

“I përulemi punës suaj”, tha me këtë rast Ministri Majko i cili po ashtu në vizitën e tij të parë në cilësi të Ministrit të Diasporës në ShBA, kërkoi nga drejtorët e shkollave një koordinim më të mirë në të ardhmen.

“Shkolla verore është një projekt ambicioz që ka për qëllim të sjell në Kosovë dhe Shqipëri nxënësit e moshave të ndryshme të shkollës Shqipe për tu njohur më mirë me atdheun dhe me bashkëmoshatarët e tyre. Tani ky projekt për herë të parë bëhet së bashku nga dy Ministritë në Kosovë dhe Shqipëri, tha më tej Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, dhe njëherësh zv. Kryeministri i Kosovës, Dardan Gashi”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, në fund të takimit si pjesë e konkluzioneve ishte dakordimi për formimin e këshillit koordinativ të mësuesve për propozime të përbashkëta lidhur me ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës dhe identitetit shqiptar në diaporën amerikane. Në këtë kontekst po ashtu u vendos për mbajtjen e festivalit të shkollave Shqipe në fund të muajit maj.

Dy Ministrat më pas vazhduan në takimin me komunitetin shqiptar në Connecticut, ku me ndihmën e afaristit të suksesshëm Richard Luka, është ndërtuar edhe Qendra e Kulturës Shqiptare ku përpos aktiviteteve kulturore që organizohen për fëmijët e moshave të reja, aty organizohet edhe mësimi plotësues i gjuhës Shqipe.

“Ndërsa gjatë takimit të fundit me shoqatën e shkrimtarëve shqiptaro amerikane, dy Ministrat u njoftuan me aktivitetin e kësaj organizate, me numrin e librave të botuar nga rreth 100 anëtarë të saj, ndërsa kërkuan mbështetjen nga dy shtetet ashtu që krijimtaria e anëtarëve të shoqatës të jetë akoma më voluminoze. Në planin aftashkurtër, kjo shoqatë planifikon edhe funksionalizimin e një biblioteke historike me libra të vjetër të gjuhës Shqipe nga arkivet e ndryshme të cilat janë mbledhur tashmë për vite me radhë”, përfundon komunikata.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme