Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ka pritur sot në takim delegacionin norvegjez të kryesuar nga udhëheqësja e delegacionit norvegjez në Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Ingjerd Schou.
Në kuadër të këtij takimi dypalësh, Zëvendësministri Ahmeti, fillimisht e ka falënderuar kryesuesen e delegacionit norvegjez, znj. Schou, për mbështetjen e palëkundur dhe të vazhdueshme, që Norvegjia i ka dhënë Republikës së Kosovës në realizimin e projekteve të përbashkëta në shumë fusha dhe e njoftoi atë për progresin, të cilin Republika e Kosovës e ka arritur në drejtësi, demokraci dhe sundim të ligjit – arritje këto që janë prezantuar në të gjitha raportet e organizatave kredibile ndërkombëtare.
Më pas, diskutimet u fokusuan në përgatitjet dhe veprimet e ndërmarra nga ana e Republikës së Kosovës përkitazi me procesin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe bashkëpunimi, bashkërendimi dhe vazhdimi i mëtutjeshëm i përkrahjes norvegjeze në rrugën drejt anëtarësimit të plotë të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.
Në vazhdim të këtij takimi, Zëvendësministri Ahmeti, ka shprehur vlerësimin e tij për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm në mes institucioneve të Republikës së Kosovës me Këshillin e Evropës.
Në mbyllje të takimit, të dyja palët kanë shprehur gatishmërinë e dyanshme për të vazhduar bashkëpunimin dhe bashkërendimin me qëllim të avancimit të mëtutjeshëm të këtij procesi.