Qendra Mediale në Çagllavicë ka organizuar debate me temën “Dezinformimi dhe lajmet e rreme në fushatat zgjedhore – si të mbrohen votuesit dhe të ruhet procesi demokratik”, raporton Ekonomia Online. Në këtë takim u theksua ndër të tjera se zyrtarët serbë kanë ndikuar te votuesit serbë në Kosovë drejt Listës Serbe.
Ambasadori i Francës në Kosovë, Oliver Guérot, tha se arsyeja dhe të menduarit kritik duhet të jenë mënyra më e mirë për të kundërshtuar fushatat e dezinformimit, por duke pasur parasysh që ato janë të organizuara dhe të financuara, është e nevojshme një strategji e koordinuar ndërministrore.
Ai shtoi se baza e strategjisë franceze është zbulimi dhe analiza e korrupsionit dhe manipulimit, ndërsa reagimi bëhet përmes rikthimit të fakteve dhe, kur është e mundur, vendosjes së sanksioneve ndaj të përfshirëve.
“Ne ende mendojmë se arsyeja dhe të menduarit kritik duhet të jenë mënyra më e mirë për të kundërshtuar fushatat e dezinformimit. Megjithatë, për shkak se këto fushata janë të organizuara, të financuara, të zhvilluara nga njerëz që janë bërë të aftë në këtë fushë, ne kemi miratuar një strategji për të luftuar dezinformimin si një bashkëpunim mes disa ministrive, përfshirë Çështjet Evropiane dhe një agjenci të specializuar. Dhe strategjia franceze bazohet në disa komponentë. Ka tre prej tyre. E para është vetë fakti se baza e saj është zbulimi dhe identifikimi i korrupsionit dhe manipulimit. Pra, thjesht duke ndjekur atë që po ndodh, jo duke e lënë të ndodhë, apo duke menduar se nuk është çështje. Baza e çdo veprimi është njohuria e asaj që po ndodh. Ne kemi vendosur mjete, burime njerëzore, për të zbuluar dhe analizuar manipulimin. Dhe elementi i dytë është reagimi përmes rikthimit të fakteve dhe, mundësisht, vendosjes së sanksioneve ndaj atyre që janë të përfshirë. Siç thashë, ne ende besojmë se të menduarit kritik dhe arsyeja janë baza e shëndoshë. Por, për fat të keq, ka pasur edhe reflektime nëse duke reaguar ose duke i hedhur poshtë, nuk do të forcoheshin fushatat e dezinformimit. Ne kemi arritur në përfundimin se duhet t’i quajmë gënjeshtrat me emër. Duhet t’i identifikojmë autorët dhe të tregojmë se kush janë. Kjo mund të bëhet në internet. Kjo mund të bëhet gjithashtu përmes veprimeve”, tha ai.
Ai foli edhe për projektet që Franca po zhvillon në Kosovë, duke përmendur projektin Shared Horizon për tërë Ballkanin Perëndimor dhe iniciativën për gazetari të pavarur ku gazetarë që flasin serbisht dhe shqip punojnë së bashku, duke mësuar gjuhën e njëri-tjetrit dhe duke ruajtur karakterin multietnik të vendit.
“Së fundi, një fjalë e fundit për atë që po bëjmë këtu në Kosovë, dhe me këtë do ta përfundojë. Ne nuk punojmë vetëm në Francë për të ruajtur integritetin e informacionit, por kemi disa projekte edhe këtu në Kosovë. Më lejoni të ndaj ose të përmend dy prej tyre. Një është një përpjekje, një projekt i quajtur Shared Horizon për tërë Ballkanin Perëndimor, dhe kamioni i lajmeve që kemi me Ivry-Denfro është pjesë e tij, kështu që nuk do të ndalem gjatë në këtë. Ju do ta bëni atë më mirë. Dhe i dyti është një projekt që po zhvillojmë me disa prej jush për gazetarinë e pavarur dhe për të pasur gazetarë që flasin serbisht dhe shqip duke punuar së bashku, duke mësuar gjuhën e njëri-tjetrit. Dhe sepse, dhe po e përfundoj me këtë sërish, gazetarët kanë një përgjegjësi shoqërore në ruajtjen e karakterit multietnik të Kosovës”, tha ai.
Festim Rizanaj nga Hibrid.info njoftoi se TikTok-u është duke u përdorur gjerësisht për keqinformim dhe dezinformim për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, duke e lidhur këtë fenomen edhe me fushatat e mëparshme.
Ai theksoi se zyrtarët serbë kanë tentuar të ndikojnë votuesit serbë në Kosovë drejt Listës Serbe, duke sugjeruar se ekzistenca e serbëve në Kosovë varet nga mbështetja për këtë listë.
“Kemi vënë re që për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, TikTok-u është platforma që më së shumti përdoret për keqinformim dhe dezinformim. Ky fenomen ka qenë prezent edhe gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit. Format kryesore janë sondazhet e rreme, sepse ato përdoren për të krijuar opinion publik gjatë fushatave zgjedhore dhe gjithashtu për dezinformim. Ka sondazhe të rreme, të montuara, të manipuluara dhe të edituara. Një fenomen tjetër në mediat sociale është krijimi ose rishfaqja e faqeve dhe llogarive të ndryshme, të cilat nuk kanë qenë aktive më parë dhe që lidhen me partitë përkatëse. Manipulimi i fotografive dhe videove është një formë tjetër që e kemi identifikuar në këtë fillim fushate”, tha ai.
Më tej Rizanaj tha se “Kjo është ai ndikim i politikave serbe dhe zyrtarëve atje, në mënyrë që të orientojnë votuesit serbë drejt Listës Serbe, pasi përmes saj një farë forme varte ekzistenca e tyre në Kosovë”.
Nga ana tjetër, Tatjana Lazarevic nga portali Kossev pati ankesa.
“Mendoj se nuk ka media në Kosovë që kanë kapacitet për gazetari hetuese serioze, të paktën sa i përket mendimit tim personal, pa pasur qëllim të nënvlerësoj histori të mira hetuese dhe individë të veçantë – ato ekzistojnë, por sistematikisht nuk ka një gazetari hetuese serioze. Pra, pa ulur vlerën e historive të mira hetuese dhe gazetarëve të cilësisë së lartë, nuk ekziston një bazë sistematike për gazetari hetuese të zhvilluar në Kosovë. Sa i përket mediave në gjuhën serbe, situata është edhe më e dobët”, tha ajo.

