Diskutohet për problemin e ndotjes së shtratit të lumit Llapllasellë

Prishtinë | 19 Sht 2019 | 09:07 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka mbajtur takimin në lidhej me zgjidhjen e problemit të ndotjes së shtratit të lumit Llapllasellës. Në këtë takim morën pjesë, Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Fatmir Matoshi, inspektorja e ndërtimeve në MMPH, Florije Kqiku, përfaqësuesi i Komunës së Graçanicës, përkatësishtë drejtori për urbanizëm në Komunën e Graçanicës Dejan Jovanovic, në prani të Avokatit të Popullit Hilmi Jashari dhe zëvendëses së tij Marija Radulović.

Në takim u përmendën problemet në terren dhe të gjitha palët ranë dakord se prioritet kryesor është gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe të përhershme.

Të ftuar ishin edhe përfaqësuesit e Komunës së Prishtinës dhe Fushë Kosovës, të cilët nuk morën pjesë në takimin e parë të mbajtur.

Matoshi shprehu gatishmërinë për të alokuar fonde të konsiderueshme me qëllim që të fillojmë me zgjidhjen e këtij problemi.

Në anën tjetër, pushteti lokal i Graçanicës u inkurajua të bëjë kërkesa specifike, përmes propozimeve të projektit, me qëllim të zgjidhjes së këtij problemi, si nga niveli lokal ashtu edhe nga niveli qendror.

Institucioni i Avokatit të Popullit, i udhëhequr nga Hilmi Jashari, insistoi në respektimin e ligjeve dhe detyrimeve ligjore të autoriteteve qendrore dhe lokale ndaj qytetarëve.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka shprehur gatishmërinë e saj për mbështetje dhe koordinim të vazhdueshëm në mënyrë që të zgjidhet përgjithmonë problemi i lumit Graqanka në Llapllasellë.

Të ngjashme