Diskutohet për raportimin e medieve për krimin e organizuar e korrupsionin

Prishtinë | 30 Jan 2018 | 17:36 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) ka publikuar sot raportin lidhur me raportimin e medieve në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Për përgatitjen e raportit janë monitoruar pesë media në Kosovë prej të cilave tri televizionet nacionale dhe dy gazeta.

Përfaqësues nga shoqëria civile, mediet, Policia e Kosovës dhe gjyqësori i Kosovës, duke përfshirë përfaqësuesit nga Gjykatat Themelore të Kosovës dhe Prokuroria e Kosovës, diskutuan rreth pyetjes qendrore: “Kush e përcakton agjendën për raportimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit?”

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, tha se e gëzon fakti lidhur me progresin që është bërë, mirëpo prapë se prapë duke cituar raportin ai tha se ka ende probleme sikurse është nënshtrimi i medieve nga politika e bizneset.

“Më gëzon fakti që ka progres duhet të jetë me standarde evropiane, mirëpo ka ka edhe probleme të tjera të cilat nuk varen edhe veç prej institucioneve. Por në mënyrë konkrete u përmend edhe disa probleme, siç janë ato për mediet që janë të nënshtruara nga politika apo biznesi”, tha Peci.

Ndërsa Prokurori Besim Kelmendi tha se raporti i BIRN-it ka të dhëna të cilat prokurorët duhet të kenë parasysh, siç është komunikimi me mediet.

Ai tha se trajtimi i rasteve të krimit e të korrupsionit është më i vështirë për shkak se ka numër më të madh të personave të përfshirë, gjë që mund të qoj në ndikimin e rastit nga raportimi.

“Ky raport përmban disa të dhëna që ne si prokurorë duhet t’i vlerësojmë, ndoshta t’i marrim si pikënisje për komunikimin me media”.

Kurse zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha se si institucione të drejtësisë duhet të kujdesen më shumë për atë se çfarë munden të publikojnë ata.

“Ne si institucione duhet të mendojmë më shumë se çka mundemi me publiku me kohë në mënyrë që mediet të kenë qasje vetë pa pas nevojë të kenë një komunikim edhe përmes zyrave të medieve. E dimë që ky hulumtim ka nxjerrë shumë të gjetura që janë reale dhe faktike në vendin tonë pa përjashtuar edhe vendet e Ballkanit”, tha Kelani.

Raporti i cili është i implementuar së bashku me zyrat e BIRN në Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi është pjesë e projektit “Ushtrimi i Lirisë së Shprehjes dhe Transparencës së Institucioneve të Shtetit”.

Të ngjashme