Rrjeti CSR Kosova, në bashkëpunim me Agjencinë Gjermane për Bashkëpunim ‘GIZ’, dhe me mbështetje shtesë nga rrjeti Evropian për Përgjegjësi Shoqërore ‘CSR Europe’, mbajtën punëtorinë për përgjegjësinë korporative ndaj mjedisit në Kosovë. Ky organizim është mbajtur në kuadër të Javës Kosovare për Zhvillim të Qëndrueshëm.
Përhapja e pandemisë COVID19 ka vënë një presion të shtuar për zhvillim të qëndrueshëm të kompanive në Kosovë. Megjithëse parimet dhe vlerat e “përgjegjësisë korporative ndaj mjedisit dhe shoqërisë” janë pjesë e rëndësishme e shumë bizneseve në Kosovë, përhapja e virusit COVID19 dhe ndikimi i saj në ekonominë e vendit, ka stagnuar planet dhe aktivitetet e tyre. Në fillimet e pandemisë, rreth 95% të bizneseve në Kosovë kanë deklaruar për ndikim negative të pandemisë në bizneset e tyre, dhe 59.4% kanë shprehur shqetësime për mbijetesë.
Për kundër presioneve ekonomike, megjithatë shumë biznese në vend janë bërë bashkë për të mirën e përgjithshme të komunitetit dhe kanë vazhduar aktivitetet e tyre të “përgjegjësisë shoqërore te ndërmarrjeve”. Shumë prej tyre kanë vendosur në fokus mirëqenien sociale, atë të punëtorëve të tyre dhe grupeve të ndryshme të shoqërisë, për të instaluar një normalitet të ri në përputhje me masat parandaluese kundër COVID 19 dhe implementimin e suksesshëm të praktikave CSR.
Linda Tahiri, Drejtore Ekzekutive e Rrjetit CSR Kosova, e cila e hapi organizimin, theksoi se kërkesa nga komuniteti i biznesit për punëtori të tillë ka pas që nga viti i kaluar mirëpo kriza e pandemisë ka ndikuar që ky aktivitet të mbahet tani. Znj. Tahiri shtoi se punëtoritë që promovojnë vlerat dhe parimet e CSR në Kosovë janë gjithmonë të mirëpritura, duke ditur se kompanitë në Kosovë mund të inkorporojnë edhe aspekte mjedisore në CSR përmes ruajtjes së energjisë, përdorimit të ujërave, menaxhimit të mbeturinave dhe adoptimit të politikave miqësore ndaj mjedisit.
Udheheqesja e Programit të GIZ për Shërbime të Qëndrueshme Komunale, Alexandra Linden potencoi se niveli i ofrimit të shërbimeve komunale, përkundër sfidave që u sollën nga pandemia, ishte mjaftueshëm i lartë, duke pasur parasysh që shumë komuna kanë shtuar investimet në këto shërbime si masë mbrojtëse kundër virusit. Ajo inkurajoi mysafirët e pranishëm në punëtori që investimet në praktikat e CSR të jenë prioritet në aktivitetet e ndërmarrjes, duke konsideruar se këto investime janë afat-gjata.
Panelistët nga komuniteti i biznesit, Sharrcem dhe ProCredit Bank, kompani që praktikojnë përgjegjshmërinë si pjesë të rëndësishme të operimit të tyre gjithashtu shpalosën sfidat me të cilat u ballafaquan që nga fillimi i pandemisë. Vigan Sylejmani, Drejtor për CSR në Sharrcem, megjithatë tha se përkundër krizës, Sharrcem ka arritur të krijojë vende permanente të punës në sektorin e bujqësisë, përmes Laboratorit pëe Aktivitete të Biznesit. LAB është organizatë e themeluar nga Sharrcem që mision kryesor ka trajtimin e papunësisë dhe varfërisë përmes financimit të bizneseve start-up në komunën e Hanit të Elezit.
Fatos Hasani, Drejtor i Njësisë për Mjedis në ProCredit Bank tha se aktivitetet e bankës për përgjegjësi ndaj komunitetit nuk janë ndalur edhe në pandemi, megjithëse me nje intenzitet më të ultë. Sa i përket përgjegjësisë ndaj mjedisit, ProCredit Bank edhe pse i takon sektorit të shërbimeve, vë në praktikë parime që kanë për qëllim uljen e ndotjes, riciklimin dhe efiçencën e energjisë.
Për ta trajtuar në detaje situatën e krijuar si rezultat i pandemisë, Rrjeti CSR Kosova, përmes punëtorisë në fjalë pati mundësinë të mbledhë perspektiva dhe ekspertizë në ridizajnimin e strategjive të ndërmarrjeve në raport me mjedisin përgjatë dhe pas pandemisë.