Në Deçan dëmtohet pllakati që informonte për mbrojtje të mjedisit

Deçan | 04 Sht 2020 | 11:19 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësues të organizatës “Pishtarët” kanë njoftuar se në Deçan janë dëmtuar pllakatet me të cilat organizata synonte të ngrisë vetëdijen e popullit në mbrojtje të mjedisit.

Sipas një reagimi të kësaj organizate, aktet dëmtuese ndaj posterëve kanë kaluar në “nivele të dhunshme”.

“Organizata ‘Pishtarët’ ka filluar një kampanjë informimi në qytetin e Deçanit me qëllim të ngritjes së vetëdijes për të drejtat tona kushtetuese në mbrojtje të mjedisit, që i kemi përgjegjësi secili. Por menjëherë është vërejt se dikush po i largon posterët të cilët janë zëvendësuar nga ‘Pishtarët’. Por sot organizata është informuar se këto akte dëmtuese kanë kaluar në nivel edhe më të dhunshëm, është bërë tërheqja me dhunë e pllakës informuese të hekurt që ka qenë e vendosur gati një metër thellë në tokë”, thuhet në reagimin e së enjtes, raporton Koha.

Pllakati ishte i vendosur në një pronë private, përballë hidrocentralit në Deçan. Ajo është zonë afër Manastirit të Deçanit, pjesë e zonës së veçantë dhe të mbrojtur nga KFOR-i.

Në të, sipas organizatës, shkruhej: “Lumbardhi nuk falet. Kushtetuta e Republikës së Kosovës Neni 52. Mbrojtja e Mjedisit, obligim për secilin”.

Teksa ka kërkuar reagim nga institucionet përgjegjëse, organizata ka thënë se për largimin e kësaj pllakate është dashur të përdoret makineri e rëndë.

Hidrocentrali në Deçan ka qenë një nga më të përfolurit dhe të kritikuarit nga organizatat që luftojnë për mbrojtjen e ambientit.

Organizata “Pishtarët” ka thënë se rastin e ka lajmëruar në Polici dhe autoritetet e KFOR-it.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme