Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me ftesë dhe në bashkëpunim me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK), dhe me mbështetjen e Qendrës së Solidaritetit, kanë zhvilluar takime në shtatë regjionet e Kosovës (Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj, Prishtinë, Mitrovicë, Gjilan), për të diskutuar rreth organizimit sindikal në Republikën e Kosovës, dialogun social, rolin e shoqërisë civile në mbështetje të sindikatave, si dhe prezantimin e “Doracakut për shpalljen e grevës së ligjshme”.
Panelistë të këtyre takimeve ishin: Steven McCloud, Drejtor i Programit Vendor dhe Bruna Hylviu, Zyrtare e Lartë e Programit, të dytë nga Qendra e Solidaritetit Amerikan për Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut, Rrahman Jasharaj, Kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Republikës së Kosovës, Arrita Rezniqi, Naim Jakaj dhe Gzim Shala, hulumtues të lartë në IKD, Vjollca Shala, Nënkryetare e SBAShK-ut dhe Ymer Ymeri, Menaxher për Financa e Administratë në SBAShK.
Në hapje të tre takimeve ku mori pjesë, Steven McCloud, tha se takimet e SBAShK-ut të këtij formati janë shumë të rëndësishme për t’i forcuar lidhjet dhe komunikimin brenda organizatës.
Ai tha se këto takime mund të shfrytëzohen për të diskutuar çështje të rëndësishme, për të ndarë informacione mbi përfitimet dhe për të adresuar sfida të përbashkëta, dhe shtoi se përmes këtyre takimeve, anëtarët mund të kontribuojnë me ide të reja dhe të ndihen të përfaqësuar, duke rritur kështu angazhimin dhe unitetin në radhët e sindikatës.
Më tutje, McCloud përgëzoi SBASHK-un për të gjitha përpjekjet në shërbim të anëtarësisë dhe shtoi se bashkëpunimi me këtë sindikatë do të vazhdojë për të forcuar edhe më shumë zërin sindikal.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, shprehu falënderime të veçanta për veprimtarët sindikalë, duke theksuar përkushtimin dhe angazhimin e tyre të palodhur në mbështetje të anëtarësisë. Ai vlerësoi rolin e z. Steven dhe të Qendrës së Solidaritetit Amerikan, si një partner i rëndësishëm në përkrahjen e SBASHK-ut, dhe kontributin e dhënë në zhvillimin dhe përparimin e organizatës. Jasharaj rikujtoi me krenari miqësinë e ndërtuar gjatë viteve të vështira për arsimin shqip, veçanërisht me Sindikatën e Mësuesve të Amerikës dhe me sindikata simotra nga vende të ndryshme të Evropës dhe botës.
“Bashkëpunimet e tilla kanë luajtur një rol kyç në fuqizimin e zërit sindikal, duke ndihmuar në përmirësimin e kushteve të punës për mësimdhënësit dhe në avancimin e të drejtave të tyre”, shtoi Jasharaj.
Ai theksoi se miqësitë dhe lidhjet ndërkombëtare të sindikatës vazhdojnë të jenë burim inspirimi dhe mbështetjeje, duke forcuar pozicionin e sindikatës në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Më tutje, ai tha se sindikata do të vazhdojë përpjekjet për dialog dhe realizimin e kërkesave legjitime të anëtarësisë, të cilat u shfaqën në protestën e 1 majit 2024.
Krejt në fund të fjalës së tij në këto takime, Kryetari i SBASHK-ut ka përgëzuar Institutin e Kosovës për Drejtësi për angazhimin, bashkëpunimin korrekt dhe për përgatitjen e doracakut për shpalljen e grevës së ligjshme. Ai vlerësoi kontributin e IKD-së në mbështetjen e sindikatës dhe përpjekjet e tyre për të ndihmuar në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.
Arrita Rezniqi, Hulumtuese e Lartë ligjore në IKD, gjatë takimeve foli për punën e IKD-së, ku ajo përmendi fushat në të cilat IKD është e specializuar dhe ofron mbështetje profesionale dhe ligjore për grupet e margjinalizuara përfshirë anëtarësinë e sindikatave.
“Ne jemi një organizatë e specilizuar në fushën e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe qeverisje të mirë. Në kuadër të punës sonë të përditshme, kemi tetë programe brenda të cilave e ushtrojmë veprimtarinë tonë, tha Rezniqi.
Sipas saj, njëra ndër komponentët e rëndësishme në IKD është ndihma juridike falas për grupet e cenuara dhe për qytetarët që nuk mund t’i mbulojnë shpenzimet financiare dhe në anën tjetër që i plotësojnë kriteret e ndihmës juridike falas sipas Ligjit për Ndihmë Juridike Falas.
Rezniqi, më tutje tha se puna e Qendrës për Ndihmë Juridike Falas, ka qenë e orientuar edhe nga ndihma për sindikatat më të vogla, të cilat nuk kanë përvojë të madhe sindikale.
“Kjo ndihmë e jona është fokusuar tek procedurat ligjore në lidhje me marrëdhënien e punës. E më tutje, ndihma jonë është drejtuar edhe nga analizimi i ligjeve që lidhen me të drejtën e organizimit sindikal, të drejtën e ushtrimit të grevës, e krejt kjo ka kulmuar me Doracakun për shpalljen e grevës së ligjshme”, përfundoi Rezniqi.
Hulumtuesi i Lartë në IKD, Naim Jakaj, në fillim të fjalës së tij theksoi rëndësinë e lirisë së asociimit si një e drejtë themelore e njeriut, e mbrojtur nga dokumente ndërkombëtare dhe kombëtare ku përfshihet e drejta e individëve për t’u bashkuar në grupe dhe sindikata për mbrojtjen e interesave të punëtorëve. Kjo liri është thelbësore për një shoqëri demokratike, duke u mundësuar individëve të shprehin mendimet dhe shqetësimet e tyre.
Sipas Jakajt kjo e drejtë, është e parashikuar në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe në Kushtetutën e Kosovës, ku si rrjedhojë Kosova ka miratuar edhe pakon e ligjeve që mbulojnë të drejtat sociale si Ligji i Punës, Ligji për Organizimin Sindikal, Ligji për Këshillin Ekonomiko-Social dhe Ligji për Grevat, ligje të cilat efektivisht mundësojnë organizimin dhe veprimin kolektiv ku punëtorët mund t’i mbrojnë interesat e tyre, të luftojnë për drejtësi sociale dhe të kërkojnë përgjegjësi nga pushteti.
Jakaj foli edhe rreth metodave të cilat sindikatat mund t’i përdorin për t’i arritur qëllimet e veta, e që sipas tij janë: pjesëmarrjen në Dialogun Social, marrëveshjet kolektive, lobimi dhe avokimi, pjesëmarrja në grupet punuese në hartimin e ligjeve, komunikim dhe edukim, konsultimi dhe bashkëpunimi me Organizata Ndërkombëtare (ILO-n), organizimi i protestave dhe grevave.
Më tutje, fjala e tij u përqendrua rreth “Doracakut për shpalljen e Grevës së ligjshme”, të cilin IKD e publikoi bashkë me BPSK-në dhe SBAShK-un më 20 prill 2024, në prag të Ditës Ndërkombëtare të Punës.
Duke ju drejtuar anëtarësisë së SBAShK-ut, Jakaj tha se arsyet që kanë dërguar në miratimin e këtij doracaku të tillë ka ardhur për arsye se në vazhdimësi grevat e organizuara, veçanërisht nga sindikatat më të vogla janë kontestuar e për pasojë edhe është bërë cenimi i tyre.
“Njëra ndër arsyet që përpiluam këtë Doracak, ka qenë edhe tentimi i vazhdueshëm i Qeverisë së Kosovës që ta kontestojë procedurën e ndjekur për grevën e muajit shtator dhe tetor në vitin 2022”, tha ai.
Sipas tij, “përpilimi dhe publikimi i një doracaku të këtillë do të jetë i dobishëm për të gjitha sindikatat që veprojnë në Kosovë, duke ua lehtësuar angazhimin dhe përfshirjen në aktivitete sindikale për të realizuar të drejtat e tyre me shfrytëzimin e mekanizmit kushtetues dhe ligjor të grevave”.
Jakaj përmendi edhe një çështje të rëndësishme që doracaku tregon rrugën e dialogut social para se të një sindikatë të vendosë për grevë. “para secilit organizim sindikal, siç është greva, sindikata duhet të përdorë mekanizmin e Dialogut Social, procesit me anë të të cilit qeveritë, punëdhënësit dhe punonjësit bashkëpunojnë për të marrë vendime në lidhje me vendin e punës dhe çështjet që lidhen me punësimin.”
Në fund, ai përmendi edhe rëndësinë e këtyre takimeve dhe të tjerave, sepse sipas tij aleancat ndërmjet sindikatave dhe shoqërisë civile forcojnë pozitat e sindikatave në negociatat me qeverinë, por edhe rrisin ndërgjegjësimin publik për çështjet që prekin punëtorët.
“Solidariteti midis shoqërisë civile dhe sindikatave, në këtë rast IKD-së dhe SBAShK-ut, mund të sjellë ndryshime pozitive jo vetëm për mirëqenien e punëtorëve, por edhe për shoqërinë në tërësi, duke krijuar një bazë më të fortë për zhvillim të qëndrueshëm dhe përparim shoqëror e demokratik”, përfundoi ai.
Takimeve në Ferizaj, Prishtinë, Mitrovicë dhe në Gjilan i’u është bashkuar zyrtarja e lartë e Qendrës Amerikane të Solidaritetit, Bruna Hylviu, e cila tregoi për angazhimet e kësaj qendre në mbështetje të SBAShK-ut dhe rëndësinë e këtij bashkëpunimi. Ajo dha shembuj konkrete të aktiviteteve të përbashkëta që kanë ndihmuar në forcimin e vazhdueshëm të zërit sindikal.
Fjalën e saj, Hylviu tregoi për në nevojën për politika të drejtpërdrejta që të mbrohen interesat dhe të drejtat e punëtorëve, duke thelluar partneritetin e sindikatave me organizatat tjera shoqërore dhe me institucionet qeveritare për të siguruar një mjedis më të drejtë dhe më të sigurt për të gjithë punëtorët në Kosovë.
Në Mitrovicë ka qëndruar edhe Hulumtuesi i Lartë në IKD, Gzim Shala, i cili në fjalën e tij tha se IKD është organizatë e specializuar në fushën e sundimit të ligjit, ku monitorohen institucionet e sistemit të drejtësisëedhe institucioneve të tjera ligjzbatuese me theks të veçantë te të drejtat e njeriut.
Sipas Shalës në kuadër të IKD-së, funksionin edhe Qendra për Ndihmë Juridike Falas që në përputhje me Ligjin për Ndihmë Juridike Falas, u ofrojmë ndihmë juridike personave që plotësojnë kriteret e pëcaktuara e ku si IKD u ndihmojmë më shumë së 1000 personave
Në lidhje me publikimin e Doracakut, ai tha se vjen si rezultat i identifikimit të nevojave lidhur me ligjshmërinë e procesit të grevave.
“Ajo çfarë kemi parë është së ka një presion ndaj sindikatave në raport me ligjin dhe në krejt këtë situatë çfarë jemi, hartimi dhe publikimi i një doracaku të tillë ka qenë shumë i nevojshëm e që do t’u hyjë në punë edhe sindikatave të tjera”, përfundoi ai.
Nënkryetarja e SBASHK-ut, znj. Vjollca Shala dhe Ymer Ymeri, Menaxher për Financa e Administratë në SBAShK, gjatë të gjitha takimeve përmendën rëndësinë e këtyre takimeve duke theksuar nevojën më të madhe për zhvillimin e dialogut me Qeverinë e Kosovës, në mënyrë që të respektohen kërkesat e punëtorëve.
Në fjalën e tyre, ata përmendën nevojën kritike që sindikatat të bashkëpunojnë më intensivisht me shoqërinë civile. Duke shtuar se ky bashkëpunim nuk duhet të ndodhë vetëm kur paraqitet një nevojë e menjëhershme, por duhet të jetë një angazhim afatgjatë për të mbrojtur dhe avancuar të drejtat e punëtorëve. Një bashkëpunim i tillë i ndërsjellë, i bazuar në solidaritet, është kyç për fuqizimin e sindikatave dhe organizatave të shoqërisë civile, thanë ata.