Në Mastersin në Qingdao, më 12 dhjetor të vitit të kaluar, fitoi të artën në kategorinë deri 48 kilogramë.
Në Grand Slamin në Paris, të shtunën, fitoi medaljen e artë në kategorinë deri 52 kilogramë. Për një periudhë të shkurtër, xhudistja Distria Krasniqi ka dëshmuar edhe një herë se është e denjë për dy kategori të ndryshme.
Në fakt Distria Krasniqi vazhdimisht është në mes të dy kategorive, përkatësisht në kufirin e 48 kilogramëve. Ajo lëviz herë pas here në kategori, ndërsa edhe synimet e saj janë të lidhura me të dy kategoritë, shkruan sot Koha Ditore.
Synimet e këtij viti janë për sukses në kategorinë deri 48 kilogramë. Synimet për vitet e ardhshme janë për sukses e shkëlqim në kategorinë deri 52 kilogramë. Në këtë kategori mori shkëlqimin të shtunën në Grand Slamin e Parisit, njërën prej garave kryesore të xhudos.
Ndonëse nuk ishte bartëse (ishte e 48-ta në ranglistën botërore të kësaj kategorie), Krasniqi fitoi medaljen e artë. Rrugës deri në majë të podiumit mposhti bartësen e parë dhe ishkampionen e botës, japonezen Ai Shishime, kampionen olimpike nga viti 2012, brazilianen Sarah Menezes dhe bartësen e dytë dhe fituesen e medaljes së argjendtë olimpike, italianen Odette Giuffrida.
Me triumfin në Paris, Distria Krasniqi është ngritur në pozitën e 35-të në ranglistën botërore në kategorinë deri 52 kilogramë. Në kategorinë deri 48 kilogramë, që aktualisht është kategoria e parë e Distrisë, ajo është e dyta në ranglistën botërore. “Jam shumë e kënaqur me paraqitjen që e kisha në Grand Slamin e Parisit, që është gara ime e preferuar.
E kam filluar vitin mbarë, me medalje të artë në një prej garave më të forta në sportin e xhudos dhe për më tepër në kategorinë deri 52 kilogramë, në të cilën ka kohë që nuk kam garuar”, ka thënë Krasniqi të hënën për gazetën.