Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kujtuar Betejën e Marecit dhe masakrën në Makoc në Ditën e Dëshmorëve të Prishtinës.
Haradinaj ka thënë se misioni historik i shqiptarëve për liri e pavarësi u realizua falë veprës heroike të luftëtarëve të UÇK-së.
“Pikërisht sot, në përvjetorin e Betejës së Marecit dhe masakrës në Makoc, Prishtina shënon Ditën e Dëshmorëve. Misioni ynë historik për liri dhe pavarësi u realizua falë veprës heroike të luftëtarëve çlirimtarë dhe sakrificës së Dëshmorëve e Martirëve, që gjithmonë janë frymëzim në ndërtimin e të sotmes dhe të ardhmes”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ai ka shtuar se brezi ynë dhe ata të ardhshëm duhet ta ruajnë lirinë si vlerën më të shenjtë kombëtare.
“Duke kujtuar trimërinë, vendosmërinë e guximin e luftëtarëve të Brigadës 153 Hyzri Talla, gueriljes BIA, dhe tërë elementit liridashës që dha gjithçka për çlirimin e fitoren e madhe, brezi ynë dhe ata pas nesh, duhet ta ruajnë këtë liri si vlerën më të shenjtë kombëtare”, ka përfunduar Haradinaj.