Dita e nëntë, barrikadat serbe ende në rrugë

Prishtinë | 18 Dhj 2022 | 09:49 | Nga Ekonomia Online

Disa nga rrugët në veri të Kosovës janë të bllokuara për gati nëntë ditë me radhë, të cilat erdhën si pasojë e arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga Policia e Kosovës.

Një barrikadë e re është vendosur në lagjen “Berxhane”, e cila shpie për në Zveçan, ka njoftuar Policia e Kosovës të shtunën e 17 dhjetorit.

E për tu kujdesur për sigurinë e qytetarëve në atë pjesë të Kosovës, janë shtuar patrullime nga ana e Policisë së Kosovës, KFOR-it e EULEX-it.

E sa i përket barrikadave në veri, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Institucionet e Republikës së Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për t’i larguar barrikadat dhe në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë, janë duke vlerësuar situatën për reagim adekuat. Veriu i vendit tonë, si çdo cep i Republikës sonë duhet të kthehet sa më shpejt në normalitet”.

Kësaj deklarata i është përgjigjur Lista Serbe, duke e parë kinse si kërcënim dhe sipas tyre deklarata e ministrit Sveçla tregon “gatishmërinë për përdorim të dhunës”.

“Ne do të bëjmë gjithçka që ta ruajmë paqen dhe popullin tonë nga sulmi nga Prishtina, por nëse njësitë e Kurtit tentojnë të përdorin dhunën për të hequr barrikadat, do të marrin përgjigjen e popullit serb që e meritojnë”, thanë nga Lista Serbe.

Ndryshe, KFOR-i ka bërë të ditur se janë duke monitoruar nga afër situatën në veri të Kosovës dhe kanë aftësinë dhe personelin për të ofruar një mjedis të sigurt dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet.

Të ngjashme