Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Monumentet dhe Sitet Arkeologjike Shqipëria i bashkohet kësaj dite ndërkombëtare dhe të gjitha institucionet kombëtare që administrojnë vlera të trashëgimisë kulturore kryesisht monumente në administrim të DRKK-ve dhe parqet arkeologjike do të përfshihen gjatë gjithë javës në një kalendar aktivitetesh.
Çdo vit më 18 Prill ICOMOS përkujton Ditën Ndërkombëtare për Monumentet dhe Sitet Arkeologjike, e cila u krijua pas miratimit nga Konferenca e 22-të e Përgjithshme e UNESCO-s në 1983.
Qëllimi i kësaj dite është të inkurajojë individët dhe komunitetet lokale në të gjithë botën që të vlerësojnë rëndësinë e trashëgimisë kulturore për jetën, identitetet dhe komunitet e tyre dhe të rrisë ndërgjegjësimin për diversitetin por edhe rrezikun që i kanoset asaj duke nxitur përpjekjet për mbrojtjen e ruajtjen e kësaj trashëgimie, transmeton koha.
Në 2018 tema e cila do të shoqërojë të gjithë veprimtaritë është Trashëgimia Kulturore për Brezat që udhëhiqet nga Grupi i Punës së ICOMOS për Profesionistët e Rinj. Shkëmbimi i eksperiencave dhe kalimi i njohurive ndërmjet brezave është hap i rëndësishëm në zhvillimin kulturor, duke e bërë përvojën njerëzore të paharrueshme.
Lidershipi/ Profesionistët e Rinj në çdo vend do të jenë në krye për të organizuar aktivitet që kanë për synim të komunikojnë me anëtarët më të rinj të shoqërisë e opinionit publik duke dëshmuar përdorimin sa më krijues të medias sociale.
Ndërkohë Drejtoria e Programeve të Zhvillimit të Kulturës në përmbushje të programit të saj në funksion të ruajtjes, mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë dhe identitetit tonë kombëtar në bashkëpunim me institucionet e saj, në përputhje me temën e përzgjedhur nga ICOMOS për 2018 “Edukimi përmes kulturës” ka përgatitur një listë aktivitetesh kulturore.
Në këtë ditë hyrja në monumente, parqe kombëtare dhe site arkeologjike është falas.