Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkë organizim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Policinë e Kosovës, Komunën e Prishtinës, OJQ-në “Marakli t’biçiklave”, kanë shënuar “Ditën Ndërkombëtare Pa Makina”, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast në kryeqytet nga ora 10:00 deri në orën 15:00 është mbyllur edhe rruga për qarkullim të veturave rruga “Dëshmorët e kombit” nga bulevardi “Xhorxh Bush”, deri te Rrethi i Flamurit.
E qytetarët e pranishëm kanë mundësi të marrin pa pagesë, njërën nga 160 biçikletat ose 60 trotinetët për qarkullim nga fillimi i kësaj rruge deri në fund rrethi i Flamurit.
Besmir Kokollari nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, tha se qëllimi i kësaj dite është që të ulet ndotja që shkaktohet nga makinat dhe promovimi i përdorimit të biçikletave.
“Qëllimi i kësaj Dite botërore është që të ulim ndotjen që shkaktohet nga makinat duke përdorur biçikletat, duke përdorur makinat elektrike, gjithashtu duke e promovuar përdorimin e transportit publik i cili e ofron ndjenjën e komunitetit por të njëjtën kohë edhe shkakton sa më pak ndotje”.
“…si Ministri kemi bërë krekës për çdo vit edhe këtë vit të përdorim sa më pak makina, të përdorim biçikletat, të përdorim trotinetët elektrik dhe mjetet tjera alternative të cilat shkaktojnë sa më pak ndotje në mënyrë që të kemi ajër sa më të pastër për qytetarët e Kosovës”, tha ai.
Pëllumb Bajqinofci, përfaqësues nga Komuna e Prishtinës, tha se nuk mjafton një ditë në vit për promovimin e lëvizjes alternative në kryeqytet.
Sipas tij, Komuna është duke punuar që të rregulloj infrastrukturën e nevojshme për biçikleta dhe trotinetë.
“Nuk mjafton një ditë në vit për promovimin e lëvizjes alternative në kryeqytet. Kryeqytetit përkundër vështirësive që i ka më rritjen e banoreve edhe përkundër asaj se biçikleta për para ka qenë një mjetë i cili më shumë është shfrytëzuat për rekreacion. Kemi filluar me vetëdijesim që disa vite në promovimin e biçikletës si formë e transportit. Andaj sigurisht që me ndihmën e gjitha organeve të tjera, kryeqyteti është duke tentuar me rregulluar edhe atë pjesën e shtegut për biçikleta. Jemi afër rregullimit edhe të aprovimit të rregullores për trotinet, lirimin e hapësirave publike para se të dalim në lëvizje motorike, lirimin e trotuareve për këmbësor”.
I pyetur se nëse mbyllja e kësaj rruge është një testim, që kjo të bëhet sheh në të ardhme siç është premtuar nga kryetari Perparim Rama, ai tha se ky nuk është një test, por që ka lidhje vetëm me promovimin e lëvizje së lirë.
“Sigurisht jo nuk e shohim si test. Nuk ka lidhje, realisht ka lidhje me premtimin e kryetarit Rama gjatë fushatës elektorale, ju e dini shumë mirë se kryetari Rama është duke qëndruar parapa premtimi të tij. Synimi i tij ka qenë se do të jetë këmbësori i para e pastaj format e tjera të lëvizjes dhe automjete dhe format e tjera të fundit”.
“Dita e sotme kalimi nëpër këtë bulevardin Dëshmoret e Kombit ka lidhje vetëm me promovimin e asaj lëvizjes së lirë. Pajtohem plotësisht me Beratin Marakli t’biçiklave, ku thotë se nuk mjafton vetëm një ditë edhe nuk kemi nevojë me mbyll rrugë për lëvizjen e biçikletave, po tentojmë me krijuar shtigje të reja ku biçikleta do të jetë pjesë e komunikacionit dhe nuk do ti pengoj të tjerët”, tha ai.
Berat Rakovica nga OJQ-në “Marakli t’biçiklave”, tha se do të kishte dëshirë që rrugët të mos mbyllen, por që të krijohet infrastruktura e duhur që rrugët të jenë të shfrytëzuat edhe nga makinat edhe nga biçikletat.
“Krejt çka kisha pas qefë unë si përfaqësues i komunitetit të ciklistave Marakli t’biçiklave, është që kjo ditë mos mu shënuar vetëm një herë në vit, mos me pas nevojë më i mbyll rrugët, por me i shfrytëzuar ato se bashku me makinat. Pra me u përdor rrugët e njëjta apo me shënjezime adekuat edhe nga çiklistë apo dhe trotinetët”, tha ai.
Drejtori i Drejtorisë Regjionale të Prishtinës nga Policia e Kosovës, Basri Shabani, tha se PK-ja ka marr të gjitha masat operative që të sigurohen qytetarët gjatë këtij aktiviteti, raporton EO.
“Ne kemi qenë si PK në kontakt të vazhdueshme me këshillin organizativ dhe të gjitha kërkesat që kanë dalë nga këshilli organizativ ne i kemi përkrahë. I kemi marr masat operative që sot t’i sigurojmë edhe qytetar edhe pjesëmarrësit në këtë aktivitet”, tha ai.