Divergjencat

Prishtinë | 02 Maj 2023 | 17:50 | Nga Shkelzen Halimi

Divergjencave brenda-shqiptare ndoshta asnjëherë nuk do t’ju shihet fundi, së paku jo derisa të kuptojnë të vërtetën se arritja e baraspeshës shpirtërore është e mundur vetëm me një kusht: ta duam veten dhe të bëhemi zot të vetvetes. Një përkufizim i tillë do të mundësonte që problemeve shqiptar, përfshi edhe kulturën, t’u jepej një kuptim dhe përmbajtje serioze, kurse kjo do ta hapte shtegun për tejkalimin e divergjencave të brendshme, me çka do të liroheshim nga të gjitha diskurset negative.

Mendja brilante e Aristotelit pati konstatuar se “shkëlqimi i moralit ndodh si pasojë e vesit. Ne bëhemi të drejtë duke bërë vepra të drejta, të përmbajtur duke bërë vepra të matura, trima duke bërë vepra guximtare”. Por, çfarë mbeti nga ky konstatim më shumë se 2300 vjet më vonë, pra në ditët e sotme. Sa shoqëria shqiptare në përgjithësi, e në veçanti protagonistët e politikës shqiptare, mund të krenohen se u ka mbetur diçka nga ky ves? Fatkeqësisht, me asgjë nuk mund të krenohen.

Tashmë kultura jonë gjithnjë e më shumë po bëhet kulturë e rretheve, kulturë e fragmentarizuar ose e copëzuar, varësisht vendit ku zhvillohet ajo. Sot kemi mafi letrare, mafi muzikore, filmi, teatri e kështu me radhë. Por, kemi edhe kulturë që zhvillohet varësisht preferencave partiake. Nëse përkuleni (për ndonjë lek) para partive në pushtet, atëherë brenda natës do të dilni nga anonimitetet. Kjo është e dukshme si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë, Shkup, po edhe në Preshevën e vogël.

Tashmë jemi dëshmitar të “shpërthimeve” letrare, teatrale, muzikore të njerëzve që fryhen nga qarqe të ndryshme partiake, pavarësisht faktit se janë vetëm për një përdorim. Pra, janë me qindra e qindra individë që pranojnë ta kenë statusin: “individë që shërbejnë për një përdorim”.

E keqja në segmentet e kulturës ka kohë që vegjeton dhe është shndërruar në kod veprimi e abuzimi, kurse institucioni i ndërgjegjes ka rënë në komë të thellë.

Në fakt, është thënë se ndërgjegjja është dhuntia e vetëgjykimit, ndjenjës së pendimit dhe e keqardhjes kur ne bëjmë gjëra që janë kundër normave tona morale. Por, kjo nuk po ndodh dhe as që është e pritshme të ndodhë.

Pa u eliminuar divergjencat brenda shqiptare, pa u zgjuar nga gjumi i thellë akademitë shqiptare, të cilat e kanë humbur kuptimin e ekzistencës së tyre, ndërgjegjja kurrë nuk do të dalë nga gjendja e komës.

Të ngjashme