Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka marrë pjesë në një takim me delegacionin e Qeverisë së SHBA-ve, të udhëhequr ndihmësi i parë i zëvendës sekretarit të Departamentin të Energjisë, Matthew Zais, përfaqësues tjerë nga Departamenti i Energjisë, Shtëpia e Bardhë dhe agjencione tjera në Administratën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Qëllimi i këtij takimi ishte implementimi i pikave të Marrëveshjes së 4 Shtatorit, të cilat lidhen me diversifikimin e burimeve të sektorit të energjisë, si dhe Studimin e Fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit.
Ministri Kuçi në ekspozenë e tij rreth strategjisë së ardhshme të energjisë dhe diversifikimit të burimeve, tha se kjo strategji do të mbështetet në pesë shtylla: 1) Burimet e Energjisë së Ripërtritshme; 2) Burimet e Linjitit; 3) Burimet e Gazit; 4) Aplikimi i masave Efiçiente të Energjis dhe 5) Integrimi në Tregun Regjional.
Mbi këtë bazë, ministri Kuçi u zotua për projektet konkrete që do të transojnë rrugën për jetësimin e këtyre objektivave.
Në aspektin e Studimit të Fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, si një nga pikat e veçanta në Marrëveshjen e 4 Shtatorit, ministri Blerim Kuçi paraqiti një historik të shkurtër të Ndërmarrjes Publike “Iber-Lepenci”, e cila që nga viti 1967 operon dhe menaxhon me asetet ekzistuese, përfshirë edhe Liqenin e Ujmanit.
Ministri Kuçi mirëpret angazhimin e Departamentit të Energjisë së SHBA-ve, për një studim fizibilitetit serioz, i cili do të rezultonte me investime shumë të nevojshme për këtë resurs strategjik të Kosovës. Me qëllim të implementimit të suksesshëm, Qeveria e Kosovës do të procedojë planin aksional që do të koordinoj punën me grupe teknike vendore për Marrëveshjet e 4 Shtatorit.
Matthew Zais përsëriti edhe njëherë zotimin e SHBA-ve në mbështetje të Kosovës, në funksion të diversifikimit të burimeve të energjisë, rritjes së sigurisë së furnizimit dhe tranzicionit gradual drejt burimeve të qendrueshme të energjisë.