Divjaka vizitohet nga mbi 68 mijë turistëve në janar-prill

Prishtinë | 11 Maj 2022 | 09:36 | Nga Ekonomia Online

Mbi 68 mijë vizitorë vendas e të huaj vizituan Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta në rajonin e Fierit gjatë katër muajve të parë të vitit.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Fier, Ardian Koçi tha për ATSH-në se gjatë periudhës janar-prill parku u vizitua nga 68,370 vizitorë, nga të cilët 65,700 të vendas dhe 2,660 të huaj, kryesisht francezë, polakë dhe çekë.

“Në këtë park vizitorët shijojnë natyrën magjepsëse, ndërsa e aksesojnë parkun lehtësisht në këmbë apo me biçikleta, nëpërmjet shtigjeve të shumta që ai ka”, tha Koçi duke shtuar se të gjithë shtigjet janë të shënjuara dhe me sinjalistikën përkatëse.

Në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta ka kulla vrojtimi për vrojtimin e faunë së egër, të cilat kanë tërhequr të apasionuarit pas shpendëve të rrallë.

Koçi shprehet se Qendra e Vizitorëve është e hapur çdo ditë për të informuar vizitorët për vlerat dhe atraksionet e parkut.

“Edhe gjatë fundjavës që lamë pas, parku u vizitua nga një numër i lartë turistësh të huaj, të cilët shijuan mrekullitë që ofron Divjaka si dhe morën informacion në Qendrën e Vizitorëve mbi vlerat natyrore të parkut”.

Parku Kombëtar i Divjakës është kthyer vitet e fundit në destinacionin kryesor të turistëve të huaj dhe vendas. Vetëm vitin e kaluar ku park u vizitua nga rreth 500 mijë vizitorë, nga të cilët 46 000 të huaj.

Divjaka sot është një nga parqet natyrore më të vizituara të vendit për turizmin detar, natyror, të peizazhit, atë të vëzhgimit të shpendëve ujorë dhe të historisë. /ATSH/

Të ngjashme