Këngëtari prishtinas, Edon Dedi, i njohur si Dj Blunt, është therur me thikë sot në Prishtinë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci, ka konfirmuar se informata është marrë rreth orës 19:30, kur është kërkuar ndihmë mjekësore.
“Rreth orës 19:30 policia ka marrë informatën se një person i therë me thikë ka kërkuar ndihmë mjekësore në QKUK”, tha Borovci për KALLXO.com
Menjëherë pas kësaj, sipas Borovcit, policia ka nisur veprimet e nevojshme hetimore dhe operative.
Ai shtoi se rasti ka ndodhur në Rrugën B në Prishtinë dhe se policia po punon për identifikimin e personave të dyshuar si dhe për ndriçimin dhe sqarimin e rrethanave të rastit.
“Viktima E.D 37 vjeç, pas trajtimit mjekësor të marrë në QKUK është jashtë rrezikut për jetë”, tha në fund Borovci.