Djali i Trumpit del kundër politikanit shqiptar republikan vetëm pse kërkoi shkarkimin e Grenellit

Prishtinë | 23 Pri 2020 | 20:43 | Nga Ekonomia Online

Donald Trump Jr. djali i presidentit amerikan Donald Trump, ka dalë kundër politikanit shqiptar në Amerikë, Marko Kepi, vetëm pse ky i fundit iu bashkua thirrjeve të shqiptarëve në Amerikë për shkarkimin e ambasadorit Richard Grenell nga puna në dialogun Kosovë – Serbi.

Kepi, përmes një njoftimi të mërkurën, iu bashkua Lidhjes Qytetare Shqiptare në kërkesën për shkarkimin e Grenellit. Kepi kishte thënë se lëvizjet e Grenellit “mund ta çojnë në destabilitet Kosovën dhe rajonin”.

Kepi kishte paralajmëruar se “do të përdorë të gjitha kontaktet dhe influencën e Partisë Republikane dhe administratës së presidentit Trump, që ambasadori Grenell të ikën sa më parë nga ky post, i cili po shkel në mënyrë të turpshme të drejtat e shqiptarëve”.

Image

Kjo deklaratë s’është pëlqyer nga i biri i Trumpit, Donald Trump Jr. Në një postim në Twitter, djali i të parit të SHBA-së, ka thënë se Partia Republikane në New York ka bërë mirë që ka përkrahur një kandidat tjetër në garën si kandidat republikan në Staten Island dhe Brooklyn për Asamblenë e New Yorkut, duke u shprehur haptas kundër Kepit.

“Më është thënë se rivali kryesor ‘republikan’ i Miket sapo ka kërkuar nga presidenti shkarkimin e Richard Grenellit. Duket se Partia Republikane në New York ka bërë zgjedhjen e duhur që ka përkrahur Miken në këtë garë”, ka shkruar Donald Trump Jr. në Twitter.

Më 21 prill, Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane kërkoi shkarkimin e Grenellit duke thënë se qasja është e gabuar dhe e destinuar për të dështuar.

Reagime të shumta kundër Grenellit ka pasur në ditët e fundit në Kosovë. Më 20 prill, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e kishte përfshirë Grenellin në rrëzimin e qeverisë së tij.

Të ngjashme