Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, poet e aktivist i komunitetit rom, Kujtim Paçaku, është ndarë sot nga jeta, në moshën 60-vjeçare.
Në një postim në rrjetin social Facebook, djali i tij Denur Paçaku e ka kujtuar babain.
“U largove nga unë pa të përqafuar e shikuar për herë te fundit. Gjithmonë do të mbetesh në zemrën time. Unë gjithmonë do të jem krenar me ty e ti ishe dhe do të mburresh çdo herë me mua. Dritë të pastë shpirti më i dashuri im, babi im!” ka shkruar i biri i Paqakut.
Biografia e Kujtim Paçakut:
Paçaku u lind në mars të 1959, në Prizren. Kreu studimet e degës së Muzikës në Akademinë e Arteve, dhe ato postdiplomike në Pedagogjinë Muzikore, për t’u bërë më vonë edhe nxënës në klasën e legjendës së filmit Faruk Begollit, në Akademinë për Aktrim dhe Regji.
Ai kishte diplomuar në romologji në Universitetin e Sorbonës në Paris.
Para se të merrej me politikë, ku përfaqësoi komunitetin e tij, për disa vite, sa ishte i ri, Kujtim Paçaku punoi si arsimtar në një shkollë fillore në Suharekë, e më vonë ligjëroi edhe në shkolla verore të organizuara për pjesëtarët e komunitetit rom në Kosovë, pjesë e të cilit ishte.
Pas luftës, Paçaku ishte angazhuar edhe si gazetar në një media multietnike, e më vonë drejtoi edhe një OJQ që mbronte të drejtat e komunitetit. Ai ishte shpallur edhe ambasador i paqes në Ballkan, për këso lloj angazhimi në të drejtat e komunitetit rom dhe komuniteteve tjera pakicë.
Ish-deputeti tashmë i ndjerë u mor edhe me shkrime letrare e poezi, duke botuar edhe libra.