Djali i Abu Bakr al-Baghdadit, liderit të grupit ekstremist, Shtetit Islamik (IS), është vrarë në një betejë në provincën siriane, Homs, ka njoftuar agjencia e këtij grupi, Amaq më 3 korrik.
Hudhayfah al-Badri, është vrarë në një “operacion kundër Nussayriyyah dhe disa rusëve në një stacion të energjisë termike në Homs”, ka njoftuar ky grup përmes një deklarate, në të cilën është parë djali i Baghdadit me armë në dorë.
Nussayriyyah është term i përdorur nga IS-i për një sekt të vogël fetar të presidentit sirian, Bashar al-Assad.
Aktualisht grupi ekstremist ka prezencë të vogël në Siri pasi është shënjestruar nga forcat siriane, ruse dhe rebelët e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.
Vlerësohet se IS-i kontrollon jo më shumë se tre përqind të territorit sirian.
Zyrtarët amerikanë dhe ata irakianë besojnë se lideri i këtij grupi, Baghdadi është ende i gjallë në Siri, afër kufirit me Irakun.
Baghdadi, me origjinë nga Iraku, cilësohet “personi më i kërkuar në planet”, pasi SHBA-ja ka ofruar 25 milionë dollarë shpërblim për kapjen e tij.
Në muajin shtator ishte lansuar një mesazh me zë, në të cilin ai u bënte thirrje mbështetësve të tij t’iu “rezistojnë” armiqëve.