Deputeti i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Andin Hoti ka thënë për gazetën “Bota sot”, se koalicioni PAN i ka numrat për ta formuar Qeverinë. Hoti, i cili bën pjesë në mesin e të rinjve të Kosovës që kanë fituar mandatin e deputetit ka thënë se, Kosova ka nevojë urgjente për institucione stabile, ndërsa ka ftuar liderët që të mos humbin kohë dhe ti formojnë institucionet. Po ashtu, ai ka thënë se do të angazhohet që çështja e të pagjeturve të jetë kusht në dialogun e me Serbinë.
“Bota sot”: Z. Hoti, tashmë keni marrë konfirmimin se do të jeni Deputet i Kuvendit të Kosovës, a mund të na thoni se çfarë do të thotë kjo për ju?
Andin Hoti: Po, kam marrë mbështetje shumë të rëndësishme nga qytetarët të cilët më kanë dhënë besimin e tyre për t’i përfaqësuar në Kuvend. Për këtë i jam falënderues secilit veç e veç dhe kjo për mua do të thotë përgjegjësi e madhe të cilën do ta përkthej në punë dhe përkushtim maksimal për interesat e tyre.
Bota sot”: Cili do të jetë kontributi juaj si deputet i Kuvendit të Kosovës?
Andin Hoti: Siç e kam thënë edhe gjate fushatës, do të fokusohem në veçanti për një avancim të ndjeshëm të rolit dhe perspektivës së të rinjve sepse është potenciali kryesor për vendin, pastaj në çështjen e të pagjeturve si një plagë që vazhdon e hapur në Kosovën e pasluftës, por gjithsesi do të jem fuqishëm në mbështetje të iniciativave për interesat e qytetarëve, për shpresën dhe mirëqenien e tyre në vendin tonë.
Bota sot”: Sa kanë hapësirë në skenën politike deputetët e rinj?
Andin Hoti: Ende s’kemi filluar dhe nuk dua të paragjykoj sa i përket hapësirës, por jam i bindur se përgjigjen në këtë e kanë dhënë qytetarët. Hapësirën dhe rolin tonë në Kuvend nuk e shoh si diçka të dhënë, por si aktivizim për ta përmbushur detyrimin ndaj qytetarëve.?Edhe mediet na kanë dhënë hapësirë të rëndësishme, e cila mua më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë dhe më lejoni që me këtë rast t’i falënderoj përzemërsisht. Ndërkaq, brenda PDK-së mendoj që kryetari Veseli u ka dhënë një hapësirë te posaçme te rinjve dhe femrave, si brenda strukturave të partisë, ashtu edhe me mbështetjen e kandidaturave në garën zgjedhore.
Bota sot”: Si e vlerësoni situatën aktuale politike në vend?
Andin Hoti: E kam shprehur në një postim ne rrjetet sociale para pak ditësh, mendoj se nuk kemi kohe për të humbur dhe kemi nevojë për unitet dhe konsensus që t’i tejkalojmë sfidat aktuale. ?Inatet dhe interesat e ngushta duhet të kapërcehen, sepse qytetarët e sidomos rinia, kane nevojë për institucione të fuqishme e stabile që punojnë për një Kosove te zhvilluar dhe për një Kosove Evropiane.
Bota sot”: Formimi i institucioneve të reja është çështja që po diskutohet më së shumti këtyre ditëve, a i ka koalicioni PAN numrat për formimin e Qeverisë?
Andin Hoti: Koalicioni PAN është fitues i zgjedhjeve dhe do ta udhëheqë vendin për 4 vitet e ardhshme. Siç e ceka me larte, Kosova ka nevoje urgjente për institucione stabile, prandaj besoj që liderët e subjekteve politike e kane parasysh këtë edhe do ta formojnë qeverinë pa humbur kohë.
Bota sot”: Sa është i qëndrueshëm koalicioni PAN përkatësisht PDK me partnerët e saj të koalicionit?
Andin Hoti: Nuk e di pse kjo pyetje, sepse PAN s’ka dhënë ndonjë shenjë paqëndrueshmërie. Unë mendoj se është koalicioni më i natyrshëm i cili duhet të funksionojë pa telashe në qeverisjen e vendit gjatë mandatit të ardhshëm.
Bota sot”: Cili do të jetë roli i Listës serbe në formimin e institucioneve nga koalicioni juaj?
Andin Hoti: Pakicat do të jenë pjesë e rëndësishme e institucioneve të reja dhe me rol gjithnjë e më pozitiv në ndërtimin e Kosovës së pavarur e demokratike.
Bota sot”: Si mund të shmanget përsëritja e zgjedhjeve e cila po përmendet mjaft këtyre ditëve?
Andin Hoti: Mendoj se çështja është plotësisht e qartë dhe s’do të kemi përsëritje të zgjedhjeve. Qytetarët e kanë përcaktuar fituesin të cilin e definon qartë edhe Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Në qoftë se po i referoheni mungesës së votave, jam i bindur se Qeveria Haradinaj do të votohet dhe madje s’do të ketë asnjë vonesë në këtë drejtim. Përsëritja e zgjedhjeve as që duhet të jetë temë diskutimi, kjo veçsa do t’i vështirësonte gjërat dhe politika është për t’i zgjidhur e jo për t’i komplikuar problemet.
Bota sot”: Çfarë mendimi keni për çështjet që mbeten të pazgjidhura legjislaturën e kaluar si Demarkacioni dhe Asociacioni i Komunave?
Andin Hoti: Demarkacioni dhe Asociacioni i Komunave??-
Janë çështje që kërkojnë koncensus politik dhe besoj se kjo do të jetë qasja e qeverisë së re të PAN. Kosova duhet të lëvizë më shpejt, shumë shpejt në agjendën Evropiane, prandaj këto çështje duhet të zgjidhen sa më parë.
Bota sot”: A është Kosova ajo që dikur e dëshironte z. Ukshin Hoti?
Andin Hoti: Në shumë aspekte jo. Natyrisht që kemi probleme, kemi sfida serioze që lidhen me papunësinë, arsimin, shëndetësinë, emigrimin e të rinjve. Kosova ka nevojë për ritme më të shpejta të zhvillimit. Unë s’mund t’i jap vetes të drejtë që të përgjigjem me kompetencë në këtë pyetje, por më lejoni të theksoj konceptin e tij për ‘republikën në funksion të bashkimit’. “Republika e Kosovës duhet te formohet, te zhvillohet dhe te jete ne funksion te bashkimit”, shprehet ai te ‘Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare’. Prandaj, besoj se ne duhet ta fuqizojmë shtetin, ta bëjmë atë funksional e të zhvilluar, sepse vetëm kështu mund ta përshpejtojmë integrimin në të dyja planet.
Bota sot”: A ka ndonjë informacion të ri rreth rastit të babait tuaj?
Andin Hoti: Jo, ne ende vazhdojmë të bëjmë thirrje për zbardhjen e fatit te tij. Siç e kam thënë edhe më parë, unë prapë kërkoj dhe do të angazhohem që çështja e Ukshin Hotit dhe e të pagjeturve të tjerë të jetë kusht për dialogun me Serbinë