Demokracia në Veprim, bënë të ditur se deri në orën 13:00, në Drenas votuan 20.34 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.
Visar Sutaj, nga DNV në një konferencë për media tha se deri në këtë kohë janë evidentuar parregullsi të ndryshme gjatë procesit të votimit, raporton Ekonomia Online.
“Ka pasur fotografime të votës, një person ka insistuar me votua dy herë në Gllanasellë. Është raportuar në katër vend votime që vëzhguesit nuk janë ulur në vendin e tyre. Të gjitha këto ngjasojnë me problemet e kaluara. Ndërsa pjesëmarrja është e ulët”, ka bërë të ditur përfaqësuesi i DNV-së.
Parregullsitë më të shprehura:
Problemet me listën e votueseve dhe votimi familjar mbesin parregullsitë më të raportuara.
Deri më tani janë evidentuar 67 raste kur votuesit nuk e kanë gjetur emrin në listën e votuesve dhe 54 raste të votimit familjar.
Janë identifikuar 6 raste të fotografimit të votës. Konkretisht në vendvotimin 0301X/03R në Gllogoc, shkolla “Halil Bajraktari”, ka pasur një rast të fotografimit të votës, por që nuk është evidentuar nga komisionerët me arsyetimin se nuk dinë se çfarë duhet të ndërmerret në raste të tilla.
Po ashtu janë evidentuar 3 raste kur i njëjtë person ka asistuar më shumë se një herë për të votuar. Në vendvotimin 0316E/02D në Gllanasellë në shkollën “Xhevë Lladrovci”, një person ka asistuar dy herë për votim. Në po të njëjtin vendvotim një nga anëtarët e KVV-së ka asistuar një qytetarë në votim.
Është raportuar se në katër vendvotime vëzhguesit nuk janë ulur mbrapa komisionerëve për të përcjellë procesin e votimit, gjë që vështirëson punën e tyre dhe është në kundërshtim me vendimin e KQZ-së. Këto raste janë në Koreticë të Epërme, shkolla Shaban Polluzha në vendvotimin 01R, në Gllogoc, shkolla Rasim Kiçina, vendvotimet 01R dhe 05D, si dhe në Gllanasellë në shkollën Xhevë Lladrovci, në vendvotimin 02D.
Votimi i dyfishtë:
Në qendrën e votimit në Nekoc në shkollën “Bajram Curri” janë shtuar rastet e tentimeve për votim të dyfishtë. Një grup prej pesë personash kanë tentuar të votojnë përkundër identifikimit të sprejit në duar.
Një rast i njëjtë ka ndodhur edhe prej një grupi tjetër prej tre personave. Komisionerët u kanë tërhequr vërejtjen se nëse bëhet fjalë për votim të dyfishtë mund të ndiqen penalisht dhe ata më pas janë tërhequr. Në po këtë qendër, një personi që i është identifikuar spreji në dorë, por i është lejuar të votoj pasi që emri i tij ka figuruar në listën e votuesve që nuk kanë votuar.
Në vendvotimin 0316E/02D në Gllanasellë në shkollën “Xhevë Lladrovci”, një person ka votuar pa mjet identifikues fizik duke paraqitur letërnjoftimin përmes fotografisë në telefon.
Po ashtu në Poklek në shkollën “Fehmi Lladrovci”, vetëm brenda orës së fundit ka pasur 5 tentime për votim të dyfishtë.
Prania e personave të paautorizuar në Qendër të Votimit:
Në vendvotimin 0316E/02D në Gllanasellë në shkollën “Xhevë Lladrovci”, një person i paautorizuar është duke u endur nëpër qendër të votimit.