Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, ka kërkuar nga partitë politike që të bëjnë fushatë të qetë, ndërsa incidentet në Mitrovicë e Skenderaj i ka quajtur të dënueshme dhe të papranueshme, raporton Ekonomia Online.
Eugen Cakolli në një konferencë për medie ku ka shpalosur planin e DnV-së për zgjedhjet e 14 shkurtit ka thënë se incidentet si ai në Mitrovicë dhe Skenderaj janë të papranueshme dhe të dënueshme.
“DnV kërkon që këto zgjedhje të jetë fushata e qetë. Incidentet e ndodhura së fundmi si ajo e Kurtit dhe Osmani në Mitrovicë si dhe në Skenderaj i vlerësojmë të papranueshme dhe të dënueshme. Subjekteve politike tu garantohet e drejta e lëvizjes, qytetarët të përmbahen nga nxitja e tensioneve”, ka thënë ai, ku ka bërë të ditur se fushata 10 ditëshe do të monitorohet nga DnV-ja.
Ai ka thënë se kanë angazhuar 16 vëzhgues në 7 qendrat më të mëdha.
“Kemi angazhuar 16 vëzhgues në 7 qendrat më të mëdha në Kosovë dhe në dy në komunat me shumicë serbe. Do organizohen takime me subjektet politike. Në periudhën 10 ditore DnV-ja do të mbulojë të gjitha aktivitetet e subjekteve politike. Lidhur me transparencën financiare kemi dërguar një pyetësor te partitë. Ripërsërisim që subjektet politike të respektojnë tavanin e shpenzimeve. DnV kërkon që të deklarohen financimet e kandidatëve”, tha Cakolli.
Ai ka thënë se kanë vërejtur shkelje të masave anti-covid në takimet e partive politike, duke bërë thirrje komunave tjera të marrin shembull Prishtinën për gjobitje ndaj atyre që thyejnë masat.
“DnV ka evidentuar një numër të madh të aktiviteteve pa përfillur masat e pandemisë andaj ne kërkojmë nga partitë që të bëjnë fushatë online. Të ndiqet shembulli i Komunës së Prishtinës që ka shqiptuar gjoba për partitë për mbledhje të njerëzve.
“Legjislacioni në fuqi ndalon përdorimin e resurse publike për qëllime të fushatës. Andaj të veprojnë sipas rregullativave. Ta kenë parasysh parimin e barazisë gjinore. Sa i përket votimit jashtë vendit, KQZ-ja pavarësisht shtimit të ndjeshëm të stafit ka dështuar që në kohë të bëjë verifikimin e personave që kanë aplikuar”, tha ai.
Ai ka thënë se ata do të monitorojnë edhe mediat.
“DnV-ja ka monitoruar 7 televizionet kosovare gjatë kohës së parafushatës ku janë zhvilluar 145 debate ku kanë marrë pjesë 153 persona nga ta më shumë ka pasur kandidatë nga PDK-ja. Vetëm 19 përiqind të pjesëmarrëse kanë qenë gra. DnV do të bëjë një monitorim të medieve në Kosovë edhe gjatë fushatës”, tha ai.