“Demokracia në Veprim” (DnV) e vlerëson pozitivisht vendimin e Institucionit të Avokatit të Popullit për ta sfiduar kushtetutshmërinë e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, lidhur me çështjen e kuotës gjinore prej 30%.
Nëpërmes një komunikate për medie, DnV thekson se prej shumë kohësh kishte konsideruar se kuota prej 30% nuk është në frymën kushtetuese të barazisë gjinore, si dhe nuk mundëson garë të barabartë zgjedhore mes grave dhe burrave. “Partitë politike fatkeqësisht janë mjaftuar zakonisht me zbatimin e pragut minimal prej 30%, duke mos promovuar pjesëmarrje të barabartë të të dy gjinive”.
“Prandaj, DnV beson që modeli ‘zebër’ – ku çdo i dyti kandidat në listë është i gjinisë tjetër, është zgjidhja që duhet ndjekur, në mënyrë që parimet dhe vlerat kushtetuese të barazisë gjinore të mishërohen edhe në legjislacionin zgjedhor”.
Po ashtu, DnV kërkon nga Gjykata Kushtetuese trajtim meritor të kësaj kërkese brenda afateve sa më optimale kohore – duke pasur parasysh që pjesa e dytë e këtij viti mund t’a gjejë Kosovën me datë të zgjedhjeve të rregullta parlamentare.
“Në këtë mënyrë, do të evitoheshin pasiguritë në lidhje me zbatimin e ligjit për zgjedhje sa i përket pjesës së listave të subjekteve politike”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.