Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” ka mbajtur konferencë për medie lidhur me vlerësimin preliminar për procesin zgjedhor.
DnV-ja vlerëson se situata gjatë ditës së zgjedhjeve ka qenë e qetë me përjashtim të komunave me shumicë serbe, raporton Ekonomia Online.
Albert Krasniqi nga DnV-ja ka thënë se gjatë ditës së zgjedhjeve janë vërejtur një varg parregullsish gjatë procesit të votimit.
“Sa i përket ditës së zgjedhjeve ne konsiderojmë që procesi ka qenë i qetë, me përjashtim të fushatës në komunat me shumicë serbe, ku situata ka qenë e tensionuar. Gjatë ditës së zgjedhjeve nuk ka pasur tensionime, por vëzhguesit kanë vërejtur votim familjar votim, votim jashtë kabinave të votimit, fotografimi i votës, tentimi për të votuar dy herë. Ka pasur privim të së drejtës së votimit për personat më aftësi të kufizuar përmes mosplotësimit të infrastrukturës, prania e personave të vdekur nëpër lista”, ka thënë Krasniqi.
“Fushata e informimit të votuesve nga jashtë ka filluar shumë vonë dhe nuk janë dhënë udhëzime të mjaftueshme. Reforma zgjedhore duhet të adresoj këtë problem duke eliminuar barrierat e panevojshme dhe thjeshtësuar procedurat. Numri i lartë i fletëvotimeve të pavlefshme është shqetësues, veçanërisht kur marrim në konsideratë faktin që ka trend të rritjes së këtyre fletëvotimeve, përkundër që sistemi zgjedhor ka mbetur i njëjtë. KQZ duhet që sa më parë të bëjë hulumtimin dhe analizimin e shkaqeve që kanë çuar në rritjen e numrit të këtyre fletëvotimeve të pavlefshme përmes hapjes së kutive. Menjëherë duhet të ndërmerren masat e nevojshme për t’i adresuar më seriozisht problemet e identifikuara”, tha ai.
Artan Canhasi nga DnV ka shpjeguar përmes pamjeve vizuele se sa ka qenë pjesëmarrja e votuesve në këto zgjedhje. Ai tha se këto të dhëna do të publikohen në ueb faqen e DnV që do të jenë në funksion të qytetarëve.