Dodik: Çështja e Republikës Serbe të mos ndahet nga çështja e Kosovës

Prishtinë | 29 Kor 2018 | 13:04 | Nga

Presidenti i Republikës Serbe, Milorad Dodik, ka deklaruar se zgjidhja e çështjes së statusit të Kosovës nuk duhet ndarë nga çështja e statusit të kësaj Republike.

“Zgjidhja përfundimtare nëse shikohet formalisht, i takon Serbisë. Por, si serb, edhe ne që jetojmë këtu, edhe si pjesëtarë të atij populli, mendojmë se kemi të drejtë legjitime në një çështje të rëndësishme, historike, nacionale e kombëtare. Qëndrimi ynë është se kjo çështje nuk duhet ndarë nga çështja e statusit të Republikës Serbe”, ka thënë Dodik në një intervistë për mediumin serb “Telegraf”.

Ai ka thënë se nuk mundet që vetëm për serbët të vlejnë kushte të ndryshme.

“Si është e mundur që dikush të vijë në Kosovë e të thotë ‘pavarësisht se konsideroni që ajo territorialisht i përket Serbisë, është shtet tjetër’. E neve këtu në Bosnje na thonë, ‘duhet të heshtni’. Sepse është ndonjë eksperiment i të huajve”, shtoi Dodik, transmeton Koha.net.

Sipas fjalëve të tij, çështja nacionale serbe është komplekse, por mendon se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ia ka dalë që atë çështje ta shtrojë sërish, sepse ka qenë krejtësisht e humbur.

“Shumica e serbëve ishin pajtuar me atë se ajo ka përfunduar dhe se një ditë verifikimi i Kosovës vetëm do të ndodhë. Ka ekzistuar një strukturë e fuqishme, e organizuar politikisht në veri të Kosovës, e cila ka ekzistuar atje, por presioni i madh i Perëndimit ka bërë që të shuhet ajo strukturë. Mendoj se Vuçiqi ka arritur që ta rikthejë në rend dite të bisedimeve dhe se nuk ka zgjidhje përfundimtare pa qëndrimin e serbëve”, theksoi ai.

Ai thotë se Vuçiqi është duke zhvilluar një politikë të përgjegjshme shtetërore në raport me Kosovën.

Dodik ka ripërsëritur se shteti i Kosovës nuk do të njihet nga Bosnja e Hercegovina sa të jetë ai në pushtet.

Presidenti i Republikës Serbe në Bosnje është i bindur se një ditë kjo Republikë do të bashkohet me Serbinë në një shtet të vetëm dhe këtë e bazon “në dëshirën e popullit”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme