Buxheti i miratuar nga ish-Qeveria Hoti do t’i nënshtrohet rishikimit në qershor. Qeveria Kurti nuk ka dhënë detaje për ndryshimet që do të bëjë, vetëm se ka pranuar që tashmë ka filluar puna në rishikimin e tij. Ndërkohë të dhënat e Doganës dhe ATK-së tregojnë për një trend pozitiv të të hyrave me gjithë që vendi po përballet me pandemi
Rishikimi i buxhetit për 2021 pritet që të bëhet pas gjashtëmujorit të parë të këtij viti dhe një gjë e tillë po konsiderohet e domosdoshme nga Qeveria Kurti. Pa dhënë detaje se çfarë ndryshimesh do të pësojë Ligji për buxhetin, Qeveria thotë se tashmë ka filluar puna. Ndryshimet i shohin të domosdoshme edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.
Sipas Blendi Hasaj, hulumtues në Institutin GAP, rishikimi është i nevojshëm nëse Qeveria do të përfshijë një pako të re për rimëkëmbje.
“Qeveria nëse dëshiron që të dizajnojë një pako të re të rimëkëmbjes atëherë normalisht se do të duhej që të bëhej një rishikim i buxhetit. Mirëpo marrë parasysh trendin e të hyrave të doganës në këta dy-tre muajt e parë, një rishikim i tillë do të bëhej në rastin më optimist në përfundim të gjashtëmujorit të parë bazuar edhe në kriteret ligjore të cilat e përcaktojnë këtë gjë”, ka theksuar ai.
Sipas tij, nga Qeveria Hoti janë trashëguar 146 milionë euro të pashpenzuara, të cilat janë paraparë për çështje ekonomike që lidhën me pandeminë.
“Në të njëjtën kohë, duke i konsideruar edhe disa indikatorë kyç ekonomik që po tregojnë për rënie apo goditje të ekonomisë sikurse formimi i kapitalit, apo rënie në sektor sikur në atë të transportit, do të duhej të bëhej një intervenim edhe në këtë fazë, por me ato fonde që janë aktualisht”, ka theksuar ai.
Një rishikim i buxhetit është i nevojshëm edhe pas trendit pozitiv të të hyrave në Doganë dhe ATK. Sipas të dhënave të Doganës, gjatë tremujorit të parë të këtij viti ishin rreth 270 milionë euro, apo rreth 14 për qind më shumë krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Të hyrat në këtë institucion janë për 44.5 milionë përtej parashikimeve.
Edhe në Administratën Tatimore të Kosovës të hyrat për periudhën janar-mars janë afro 135 milionë apo mbi 16 milionë euro më shumë sesa periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Në raport me projeksionet të hyrat janë për 11.7 milionë më shumë apo 9.6 për qind.
Por Hasaj thotë se Qeveria mund të zbatojë masa për kompensim të dëmeve në gastronomi e qendra tregtare me mjetet që ka në dispozicion.
“Një masë e mirë ishte implementuar nga ministri Bislimi në kuadër të Pakos Emergjente Fiskale dhe mendoj që mekanizmi është i gatshëm dhe me atë janë të njoftuar edhe Qeveria, edhe qytetarët. Pra mjafton që Qeveria të nisë procedurat që qytetarët të aplikojnë përmes ATK-së dhe besoj që ky proces mund të kryhej shumë shpejt”, ka theksuar ai.
Sipas tij, në ligjin e buxhetit për vitin 2021, nga pakoja e rimëkëmbjes ekonomike janë të pashfrytëzuara 103 milionë euro, përjashto këtu edhe fondin prej 40 milionë eurosh për vaksina që janë të mjaftueshme për kompensim të dëmeve në sektorët e mbyllur së fundmi.
Nga Ministria e Financave kanë thënë se janë në proces të analizimit të mundësive për përkrahje, si dhe të dizajnimit të masave. Por, për shumën e këtyre masave thonë se do ta dinë vetëm pas përfundimit të procesit të aplikimit të bizneseve dhe shqyrtimit të këtyre aplikacioneve./Koha