Në tremujorin e dytë të këtij viti (TM2-2016) klima e të bërit biznes vlerësohet të jetë përmirësuar. Ky vlerësim ka dalë gjatë prezantimit të raportit të “Monitorit të Biznesit Kosovar”, për tremujorin e dytë të vitit 2016 të bërë nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK).
Gjatë prezantimit janë diskutuar gjetjet kryesore dhe indikatorët kyç ekonomikë, bazuar në monitoruesin IFO dhe të harmonizuara me standardet e Bashkimit Evropian.
Sipas raportit, rreth 30% të bizneseve të anketuara kanë vlerësuar situatën e mirë në të bërit të biznesit, gjendje që duket më e mirë krahasuar me TM2 të vitit paraprak. Sipas raportit, pritjet për punësim kanë shënuar rënie prej 10% krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak. Raporti thekson se vetëm 4% e bizneseve të anketuara presin që punësimi të bie.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka vlerësuar indikatorët e prezantuara që kanë dalë pozitiv. Sipas saj, në krijimin e ambientit sa më të mirë biznesor janë të ndërlidhura shumë ministri, e jo vetëm MTI-ja.
Ajo ka bërë të ditur se brenda gjashtë muajve të këtij viti në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve janë regjistrua 10 për qind më shumë biznese se sa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
“Ajo çka është e rëndësishme është se ka ndryshuar struktura komplet e bizneseve, për 106 për qind është rritur numri i shoqërive me përgjegjësi të kufizuara”, ka thënë ajo.
Safet Gërxhaliu, kryetar i OEK-ut, tha se pavarësisht problemeve të cilat i ka vendi, sektori privat dhe përfaqësuesit e komunitetit të bizneset po e ndajnë politikën nga ekonomia.
U vlerësua se Dogana ka dhënë një kontribut në përmirësimin e klimës së të bërit biznes.
Lulzim Rafuna, drejtor i përgjithshëm i Doganës, tha se i kanë thjeshtësuar mjaft procedura që ua lehtësojnë bizneseve veprimtarinë. Dogana, sipas Rafunës, do të vazhdojë me avancime të tjera.
Indikatori i klimës së biznesit pubikohet në baza të rregullta tremujore nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe ka për qëllim parashikimet e ndryshimeve në ekonominë kosovare.
Anketa u realizua me rreth 400 kompani, të 5 sektorëve kyç të ekonomisë kosovare. Të dhënat janë grumbulluar në fund të muajit qershor dhe fillim të muajit korrik.