Dogana e Kosovës, në kuadër të kompetencave të saj ligjore, zbaton masat kufizuese dhe sanksionet ndërkombëtare të aplikueshme në Republikën e Kosovës gjatë importit, eksportit dhe transitit të mallrave.
Përmes, një njoftimi doga thotë se sanksionet ndërkombëtare synojnë parandalimin e transaksioneve dhe qarkullimit të mallrave që mund të jenë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe obligimet ndërkombëtare.
Në kuadër të zbatimit të këtyre masave, Dogana e Kosovës kryen analiza të riskut dhe kontrolle të mallrave, subjekteve dhe transaksioneve. Në rastet kur identifikohen veprime që mund të lidhen me shkeljen apo shmangien e sanksioneve, autoritetet doganore ndërmarrin masat e nevojshme në përputhje me kompetencat ligjore.
Zbatimi i sanksioneve përfshin, ndër të tjera, regjimet e sanksioneve të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si dhe akte të tjera ndërkombëtare të zbatueshme në Republikën e Kosovës.
Dogana e Kosovës u bën thirrje operatorëve ekonomikë dhe të gjithë subjekteve të përfshira në tregtinë ndërkombëtare që të respektojnë masat kufizuese dhe kërkesat ligjore në fuqi, me qëllim të parandalimit të shkeljeve dhe shmangies së pasojave ligjore.